Taksa

Sa funksionale është me të vërtetë një taksë për të pasurit?

Thirrjet për një taksë mbi pasurinë ndaj miliarderëve në botë po fitojnë edhe një herë vëmendjen pasi presidenti i SHBA, Joe Biden, tha se do të vendoste këtë taksë nëse do të rizgjidhet në muajin nëntor.

Duke përshkruar propozimet e tij për buxhetin e vitit 2025, Biden shënjestroi njerëzit e pasur dhe përsëriti planet për një taksë 25% për amerikanët me një pasuri prej më shumë se 100 milionë dollarë. “Asnjë miliarder nuk duhet të paguajë një tarifë më të ulët tatimore se një mësues, një punonjës sanitar, një infermiere,” tha ai.

Planet, të përshkruara më parë në buxhetin e presidentit për vitin 2024, ringjallën një debat dhjetëvjeçar mbi mënyrën më të mirë për të llogaritur pasurinë e më të pasurve në botë. Megjithatë, çështja ka marrë një rëndësi të re këtë vit, pasi qeveritë globalisht kërkojnë mënyra të reja për të përmirësuar financat publike dhe trajtuar pabarazinë.

Muajin e kaluar, ministrat e Financave që u mblodhën për një samit të G20 në Brazil thanë se po eksploronin planet për një taksë minimale globale për 3.000 miliarderët e botës që të paguajnë pjesën e tyre të drejtë ndaj shoqërisë.

Por ekspertët janë të ndarë mbi efektivitetin e një takse mbi pasurinë dhe se sa e arritshme është në realitet. Një taksë mbi pasurinë është një taksë “me bazë të gjerë” mbi vlerën e të gjitha, ose shumicës së aseteve që i përkasin një individi, ose familjeje si para’, prona, automjete, bizhuteri dhe sende të tjera të vlefshme.

Ndryshe nga tatimi mbi të ardhurat, që ngarkohet kundrejt fitimeve vjetore dhe tatimi mbi fitimet kapitale, i cili vendoset mbi fitimet e grumbulluara nga shitja e një aktivi, tatimi mbi pasurinë shihet si një mënyrë më holistike për të llogaritur pasurinë totale të një individi.

Taksa të tilla ishin dikur të spikatura në Europë, megjithëse zbatimi u pakësua në fillim të shekullit të 21-të mes pyetjeve mbi efikasitetin e tyre dhe një zhvendosje më të gjerë drejt normave më të ulëta të taksave të nivelit të lartë.

Që nga viti 2024, Zvicra, Norvegjia dhe Spanja janë ndër vendet e pakta që vendosin një formë tatimi mbi pasurinë. Por më shumë vende po i afrohen kësaj ideje. Kolumbia prezantoi një taksë mbi pasurinë në vitin 2022 dhe qeveria skoceze ka propozuar një formë të tillë. /CNBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë