Biznes

Sa fituan dhe humbën koncesionarët në 2020-ën ?

Sipas publikimit të OpenCorporates AL në vendin tonë, për vitin 2020, shoqëria koncesionare me perfromancën më të mirë është "ALEAT", me të ardhura rreth 6.1 mld lekë apo 50 mln euro. "ALEAT" është shoqëri koncesionare që në vendin tonë operon në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së dokumentave identifikuese, karta apo pasaporta. Krahasuar më vitin 2019, të ardhurat e kësaj shoqërie janë rritur me 173 mln euro.

Në renditje pas "ALEAT" janë kompanitë koncesioanre "GJOKA 87" dhe "TIA" me të ardhura respektive për 2020-n, 5.8 mld dhe 3.2 mld lekë. "GJOKA  87" ka për qëllim ndërtimin, përmirësimin, operimin dhe mirëmbajtjen e "Rrugës së Kombit". Krahasuar me vitin 2019, të ardhurat e  saj janë rritur  me mbi 200 mln lekë.

"Tirana International Airport", TIA, që ka për objekt ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit "Nënë Tereza", në vitin 2019 ishte në vend të parë për nga fitimet, ka pësuar tkurrje të të ardhurave me rreth 53% nga pothuajse 7 mld lekë që i kishte në 2019-n. Kjo rënie e ndjeshme mund të lidhet me situatën e pandemisë dhe kufizimin e udhëtimeve në të gjithë globin, ndonëse në Shqipëri lëvizjet kanë qenë të ndakuara vetëm për 2 muaj.

Shoqëri të tjera, të ardhurat e të cilave për vitin 2020 prekin vlerat e mbi 2 mld lekëve janë: "DEVOLL HYDROPOWER", me rreth 2.5 mld lekë, Integrated Energy BV SPV, me rreth 2.3 mld lekë dhe "Albanian Highway Concession" (koncesioni i mirëmbajtjes së "rrugës së kombit"), me rreth 2.2 mld lekë.

Nga këto 3 shoqëri, "DEVOLL HYDROPOWER" dhe "Integrated Energy BV SPV" kanë shënuar rritje në nivelin e të ardhurave, krahasuar me të ardhurat që këto shoqëri kanë depozituar në bilanc për vitin 2019.

Njësoj edhe në renditjen e fitimeve për 2020-n, "ALEAT" kryeson listën me 2.09 mld lekë fitime, të rritura me 184 mln lekë nga 2019-a. Në vend të dytë listohet shoqëria "DITEKO", objek i së cilës është ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e hidrocentralit “Lumi Zalli i Okshtunit”, me fitim 754 mld lekë, por në vitin paraardhës fitim i saj regjistrohej në 1.1 mld lekë.

Në vend të 3-të është shoqëria "ALB-ENERGY", e kontraktuar nga Ministria e Ekonomisë, dikur Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës objekt i së cilës është ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e hidrocentraleve "Bele 2" dhe "Topojan 1". Fitimet për këtë shoqëri për vitin 2020 fiksohen në ulje, krahasuar me atë të një viti më parë, me rreth 86.6 mln lekë.

Humbjet më të mëdha si pasojë e pandemisë, regjistrohen për "Tirana International Airport", ku në 2019 fitimet preknin vlerën e 2.5 mld lekë, kundrejt 415 mln lekë për vitin 2020. Rënia vlerësohet në shifrat e 83.5% ose rreth 2.1 mld lekë, por pavarësisht kësaj, shoqëria konçesionare ka dalë me fitim.

Shifrat në total tregojnë se, nga 174 kompani koncesionare të cilat kanë dorëzuar një bilanc në QKB për vitin 2020, 52 prej tyre kanë dalë në humbje, dhe 101 me fitim, 102 shoqëri nuk kanë asnjë bilanc të bërë publik. Për 21 prej tyre ndërkohë, bilanci rezulton me zero.

Në listën e humbjeve më të madhe për të njëjtin vit, në vend të parë është “Ayen Energy”, me një total humbjesh prej rreth 1.8 miliardë Lekë, ose rreth 15 milionë euro. Kjo shoqëri konçesionare ka si objekt ndërtimin, operimin dhe transferimin e 3 hidrocentraleve. Në vend të dytë në listën e kompanive konçesionare me humbjet më të mëdha për 2020-ën është “Durrës Container Terminal”, me rreth 834 milionë lekë humbje, ose rreth 6.8 milionë euro humbje. Kjo kompani ka si objekt konçesioni operimin e terminalit të konteinerëve në portin e Durrësit.  Në vend të tretë renditet një prej kompanive me të ardhurat më të larta për vitin 2020, “Devoll Hydropower”, humbjet e së cilës fiksohen në 744 milionë lekë për vitin, ose rreth 6.1 milionë euro. Niveli rekord i të ardhurave nuk e ka shpëtuar dot kompaninë nga humbje gjithashtu rekord për vitin 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë