Futboll

Sa e meritoi titullin kampion Partizani dhe pse Tirana nuk e ‘njeh’ atë!

Gazeta Si – “Le të thonë çfarë të duan, titullin e kemi merituar”, - tha menjëherë pas triumfit të Partizanit dejtori sportiv i këtij klubi, Elton Marini. Ai nxitoi ta theksonte këtë fakt para fjalive të tjera që thuhen në të tilla raste.

Marini e kishte të qartë se çfarë thuhej në ambientet e futbollit prej kohësh. Zërat e korridoreve edhe këtë herë dolën të vërtetë, titulli i Partizanit e kishte marrë ‘bekimin’ prej kohësh. Javët e fundit të Superiores e treguan qartë me goditjet e njëpasnjëshme që mori rivali.

Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ngre lart trofeun e titullit. Gazeta Si, 30 maj 2023

Edhe drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, foli për një titull të merituar. Të dy drejtuesit e kuq dukej sikur donin t’u mbushnin mendjen njerëzve se ishte plotësisht kështu. Por në fakt ka shumë diskutime, polemika dhe dyshime për këtë titull, që nuk ishte aq i merituar sa ai që u arrit me Skënder Gegën në stol.

Tirana nuk është dakord absolutisht. Jo thjesht se ishte rivali i Partizanit në këtë garë, por sepse realisht vuajti në kurriz disa goditje javët e fundit, duke nisur nga ndeshja me Teutën në Durrës.

Kush e ndjek futbollin, nuk mund ta quajë kurrë rastësi mungesën e ‘llogaritur’ të tre titullarëve të Tiranës në derbi. Tre lojtarë me peshë u ndëshkuan me karton një ndeshje me parë, njëri nga të cilët për simulim, për të mos qenë ndaj Partizanit, ku ishte ‘fiksuar’ parakalimi.

Tirana rezistoi në sfidën direkt me Partizanin, ndoshta edhe me pak fat, por goditja u bë më e fortë më pas, në ndeshjen me Bylisin. Një penallti shumë e dyshimtë i hoqi fitoren dhe rrjedhimisht edhe vendin e parë. Disiplina më pas hapi një hetim dhe dënoi gjysmën e ekipit para javës së fundit të kampionatit.

Për këto arsye klubi i Tiranës reagoi me një mesazh të koduar në faqen e vet. “Noltmadhni! Lavdia e qytetit, shpirti i pathyeshëm”, - ishte mesazhi, që përkthehej në ‘mosnjohje’ të titullit të Partizanit nga Tirana.

Partizani ka merita nuk diskutohet, por është një nga ata titujt që lë pas polemika dhe dyshime, si ata që vitet e fudnit kemi parë disa herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë