Taksa

Sa do të jetë taksa e pronës për kalcetot, pistat për gara me kuaj, pishinat e mbyllura, portet dhe aeroportet?

Nga 1 prilli i vitit 2020 hynë në fuqi ndryshimet për taksën e ndërtesës e llogaritur sa 0,05 e vlerës së shtëpive dhe 0,2 për qind kundrejt vlerës së objektit për biznesin.

Taksën 0,2 për qind kundrejt vlerës së sipërfaqes së zënë do ta paguajnë edhe biznesi për fushat e futbollit, volejbollit, kalcetove të hapura, pistat për gara me kuaj, portet dhe aeroportet private, si dhe pishinat dhe ambientet sportive të mbyllura. Qeveria miratoi ndryshimet në vendimin e metodologjisë për taksën e ndërtesës, i botuar në Fletoren Zyrtare.

Ministria e Financave sqaroi se ndryshimet janë kryer për të qartësuar bashkitë për klasifikimin e objekteve që do të taksohen 0,2 për qind. “Klasifikimi është kryer për të sqaruar bashkitë, pasi disa e trajtonin ndryshe taksimin e ambineteve të hapura dhe të mbyllura me veprimtari ekonomike jopublike. Pra kishin paqartësi në zbatim”, shprehen burimet.

Si do taksohen fushat e futbollit, pistat për gara me kuaj, portet dhe aeoportet

Vendimi i ndryshuar përcakton se “Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për ambiente parkim i hapur, pishinë e hapur, ambiente sportive të hapura, të tilla si: fusha futbolli, minifutbolli, basketbolli, volejbolli, tenisi, golfi, pista për gara të ndryshme sportive të atletikës, motorike, garave me kuaj e të tjera të ngjashme me to; porte dhe aeroporte të çdo kategorie, për të gjithë sipërfaqen e shtrirë që ato zënë, është 30 % e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve, ose sipas njësive administrative për Bashkinë Tiranë.”

Sipas metodologjisë së llogaritjes së taksës, bizneset e ambineteve të hapura sportive si: fusha futbolli, minifutbolli, basketbolli, volejbolli, tenisi, golfi, pista për gara të ndryshme sportive të atletikës, motorike, garave me kuaj e të tjera të ngjashme me to; porte dhe aeroporte do të paguajnë 0,2 të vlerës së sipërfaqes që zënë.

Nëse sipërfaqja nuk ka një vlerë, do të përdoret metoda alternative, duke iu referuar çmimeve fiskale të apartamenteve sipas qyteteve. Për efekt të llogaritjes së taksës vendimi parashikon se vlera e sipërfaqës së zënë do të jetë sa 30 për qind e çmimit të apartamenteve të banimit sipas qyteteve përkatëse, por e llogaritur sipas çmimeve referencë fiskale.

Si do taksohen pishinat dhe ambientet sportive të mbyllura

Vendimi i qeverisë klasifikon si biznes për taksim të taksës së ndërtesës edhe ambientet e mbyllura sportive dhe pishinat. “Në këtë kategori përfshihen dhe ndërtesat që shërbejnë për veprimtari arsimore jopublike të çdo niveli, si dhe ambientet sportive të mbyllura, përfshirë dhe pishinat e mbyllura.”

Taksa që do të paguhet do të jetë sa 0,2 për qind e vlerës së sipërfaqës së zënë. Edhe në këtë rast, nëse sipërfaqja nuk ka një vlerë, do të përdoret metoda alternative, duke iu referuar çmimeve fiskale të apartamenteve sipas qyteteve. Për efekt të llogaritjes së taksës vendimi parashikon se çmimi për metër katror për sipërfaqen e zënë do të jetë sa 50 për qind e çmimit të apartamenteve të banimit sipas qyteteve përkatëse, por e llogaritur sipas çmimeve referencë fiskale.

Aktualisht taksa 0,2 për qind e ndërtesës paguhet nga veprimtaritë industriale, si: prodhim, përpunim apo magazinim të lëndëve të para, të gjysmëprodukteve apo të produkteve të gatshme industriale, si: fabrika, magazina, depo, silos, magazina frigoriferike të produkteve ushqimore (përjashtuar ato të njësive të tregtimit dhe të shërbimit), si dhe objektet e tjera të ngjashme me to.

Më Shumë