Rend dhe Ligj

Sa dhunë nëpër komisariate! Raporti: Rastet nuk hetohen

Marrja e personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale është shoqëruar edhe me dhunimin e tyre nga ana e policisë. Ky është konstatimi i nxjerrë nga ana e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili kërkon vendosjen e disa rregullave në marrjen në pyetje të dënuarve si dhe të vendosjen së regjistrit të kërkesës dhe ankesave në çdo komisariat dhe drejtori Policie.
Një tjetër çështje e ngritur nga Komiteti i Helsinkit është edhe mos njoftimi në kohë i familjarëve për rastet e të arrestuarve.

Gjatë periudhës janar-korrik 2018, KSHH ka marrë ankesa në rrugë telefonike, me letër apo gjatë vizitës në sistemin e burgjeve, nga persona të cilët pretendojnë se është ushtruar dhunë ndaj tyre nga forcat e policisë, gjatë kohës së shoqërimit dhe qëndrimit të tyre në komisariatet e policisë. Raportimi i dhunës në këtë rast është bërë disa ditë apo edhe javë më pas, teksa ata ekzekutonin vendimin penal në sistemin e burgjeve. Por Komiteti në raportin e tij vëren se ka hasur në vështirësi në verifikimin e këtyre rasteve apo të pretendimeve për faktin e mungesës së infrastrukturës së nevojshme për regjistrimin audioviziv të marrjes së tyre në pyetje, mosekzaminimi mjekësor në kohë apo mosdokumentimi i tij si dhe fakti që në disa raste dhuna e ushtruar pretendohet se është bërë gjatë kohës së transportimit të këtyre shtetasve në ambientet e policisë.

Faksimile e raportit të Komitetit


I tillë ka qenë ishte rasti i të dënuarit Luan Taipi, i cili pretendon se është dhunuar nga forcat policore në furgon gjatë shoqërimit nga vendi i arrestimit për në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Por edhe pse mund të ketë pasur ankesa për ushtrim të dhunës mësohet se Shërbimi për Çështjet e Brendshme i Ministrisë dhe Ankesat dhe Prokuroria kanë vendosur pushim të çështjes.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren se mungon qasja për një hetim të plotë, objektiv dhe të thellë nga organi i prokurorisë, çka cenon nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që kërkon një hetim efektiv të këtyre rasteve. Madje, në ndonjë rast kur personi pretendon se është dhunuar, prokuroria ka regjistruar ndaj tyre procedim penal me akuzën e “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”. Ndërkohë që në asnjë rast, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nuk ka pranuar se ndaj shtetasve të ketë rezultuar se është ushtruar dhunë.
“Dëshirojmë të veçojmë këtu ankesën e familjarëve të të ndjerit, Enea Ftoi, i cili pretendohet se humbi jetën për shkak të dhunës së ushtruar nga punonjësit e policisë. Vëzhguesve të KSHH-së nuk iu dha akses i menjëhershëm në aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të trupit të viktimës ndërkohë që referuar njoftimeve të medias, Prokuroria e Korçës ka pushuar çështjen ndaj të ndjerit, duke dalë në konkluzionin se policia nuk ka ushtruar dhunë, por i ndjeri vuante nga një sëmundje në mushkëri”, thuhet në raport.

Nga protesta e familjarëve për Enea Ftojin


Një ndër problemet e tjera që konstatohet është se komisariatet e policisë të shoqëruarit, të ndaluarit dhe të arrestuarit nuk pajisen gjithmonë me kopjen e deklaratës së të drejtave që gëzojnë. Kjo problematikë është evidentuar në monitorimin e realizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në Komisariatin nr. 3 për protestuesit e Rrugës së Kombit, apo në Komisariatin nr. 2, ku të drejtat u komunikoheshin verbalisht dhe nuk u jepej një kopje e deklaratës. Gjithashtu është vërejtur se të ndaluarit nuk i afrohet ndihma ligjore nëpërmjet avokatëve. “E drejta për t’u mbrojtur me avokat zbatohej nga një pjesë e mirë e komisariateve. Por mbetet shqetësues fakti se në disa komisariate (në komisariatin nr. 1 dhe nr. 4 në Tiranë si dhe në komisariatin e Krujës, Fushë Krujës, Fierit, Kavajës, Librazhdit, Elbasanit) afatet e arrestimit në flagrancë llogariteshin gabim”, thuhet në raport.


Ndërsa bëhet e ditur se në në komisariatet e Policisë Ersekë, Pogradec, Korçë mungonte lista e afishuar e avokatëve kryesisht, madje konstatuam se personeli i këtyre komisariateve nuk kishte koncepte të qarta për avokatin kryesisht, që ofrohet falas për personat që nuk kanë mundësinë e pagesës.
Vijon të mbetet problematik transferimi i vonuar dhe tej afateve ligjore i personave, që kanë marrë masën e sigurimit ose personave të dënuar me burg, pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) përkatëse. Periudha e qëndrimit mesatar të kësaj kategorie shtetasish në komisariate varion në afate relativisht të gjata, 6-7 ditë, ndërkohë që një pjesë e këtyre komisariateve nuk kanë kushtet minimale të akomodimit të këtyre shtetasve qoftë edhe për pak ditë.
“Në një pjesë të Komisariateve/Drejtorive të vizituara vlerësojmë se kushtet fizike kanë elementë të trajtimit ç’njerëzor dhe degradues, referuar këtu edhe standardeve të elaboruara në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut. Vëzhguesit e KSHH-së kanë konstatuar raste kur personat flenë në dysheme qoftë për shkak të mbipopullimit sikurse është konstatuar në rastin e protestuesve për rrugën e kombit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë si dhe në Komisariatin nr.3 në Tiranë, po gjithashtu edhe për shkak të mungesës së krevateve, si p.sh. në Komisariatin nr. .1, nr. 3 dhe nr. 5 në Tiranë si dhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër. Një pjesë e dhomave në këto institucione jashtë standardeve dhe duhet të mbyllen”, thuhet në raport.
Në komisariatet e Policisë Dibër, Tepelenë, Gjirokastër, Malësi e Madhe, Krujë, Fushë-Krujë, Shkodër, Lezhë janë evidentuar mungesë të kushteve të higjienës në disa prej ambienteve të shoqërimit, ndalimit/arrestimit, si dhe në ambientet e dusheve dhe tualeteve. Në disa raste, kushtet e këtyre ambienteve ishin në gjendje të mjerueshme, për shkak të mungesës së ndriçimit natyral apo artificial, mungesës së ajrimit i cili ishte i rëndë dhe prezencës së lagështirës, mungesës së mirëmbajtjes së mureve të cilat ishin të palyera apo edhe të pa-meremetuara, mungesës së dritareve çka i vendoste personat në pothuajse të njëjtat kushte atmosferike si në ambientet jashtë, mungesës së sistemit të ngrohjes/ftohjes. Shqetësues shihet edhe fakti i mungesës së ajrimit në ambientet e policisë. “Për sa i përket kubaturave dhe ajrimit jo të përshtatshëm (që është konsideruar si një formë torture), sqarojmë se jo të gjitha komisariatet janë ri-konstruktuar dhe për rrjedhojë në ato ambiente sigurie që nuk plotësojnë kushtet për ajrim e ndriçim të plotë natyral sipas mundësive është e nevojshme që të krijohen mundësi për ajrim për jo më pak se dy orë në ditë. Nga monitorimet ka rezultuar se në mjaft raste ambientet e policisë nuk kanë infrastrukturën e përshtatshëm për të mundësuar ushtrimin e kësaj të drejte, si p.sh. në Komisariatet nr.4, 5, në Tiranë si dhe në Komisariatet e Lezhës, Elbasanit, dhe të Shkodrës. Në këto komisariate ajrimi bëhej në korridore”, thuhet në raport. Gjithashtu ka rezultuar se mjetet e transportit të Komisariateve (Gjirokastër, Tepelenë, Lezhë, Malësi e Madhe, Dibër) janë tepër të vjetra dhe të amortizuara, çka cenon mbarëvajtjen normale të punës, veçanërisht për Komisariatin e Policisë në Ersekë ku transporti realizohet me kafshë.

Tabela e Rekomandimeve:
KSHH sugjeron mbajtjen dhe plotësimin e rregullt të Regjistrit të Kërkesë-Ankesave në çdo Stacion, Komisariat/Drejtori Policie
KSHH rekomandon rishikimin e organikës së komisariateve të policisë me qëllim krijimin e mundësisë për shtimin e pozicionit të mjekut, juristit, psikologut si dhe rekrutimin e të paktën një personeli femër në secilin Komisariat.
KSHH rekomandon që për çdo person të ndaluar dhe të arrestuar në flagrancë, ti nënshtrohet menjëherë kontrollit mjekësor dhe rezultatet e këtij kontrolli të dokumentohen në kartelën mjekësore të personit.
I rekomandojmë Prokurorisë të kryejë një hetim të plotë, objektiv dhe të gjithanshëm të çdo rasti të pretendimeve për ushtrim dhune nga forcat e policisë ndaj personave të shoqëruar, ndaluar dhe arrestuar.
I sugjerojmë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat të kryejë një hetim sa më objektiv dhe të paanshëm të këtyre rasteve dhe të forcohet sistemi i sanksioneve për shkeljet e konstatuara.
Drejtoria e Përgjithshme të Policisë të shohë mundësinë e shtimit të kamerave të sigurisë dhe prezencës së tyre në ambientet e marrjes në pyetje të këtyre shtetasve.
KSHH kërkon evitimin e vonesave në lëshimin e urdhrave të transferimit për personat e dënuar në mungesë, të cilët pasi kapen nga policia qëndrojnë në ambientet e Komisariateve deri në 6-7 ditë.
I sugjerojmë të gjitha Komisariateve të shmangin praktikën e arrestimit në flagrancë të shtetasve në ambientet e Komisariatit, çka ndikon në zgjatjen e pajustifikuar të afateve si dhe në mosrespektimin e gjendjes së flagrancës konform Kodit të Procedurës Penale.
Të rrethohen tualetet dhe dushet në Komisariatin e Gjirokastrës, Lezhës, me qëllim që të respektohet për aq sa është e mundur privatësia e personave gjatë qëndrimit të tyre në tualet dhe të mos jenë plotësisht dhe lehtësisht aksesueshme nga ana e personelit.
Të pajisen me mjete të reja të transportit të Komisariateve Gjirokastër, Tepelenë, Lezhë, Malësi e Madhe, Dibër që garantojnë mbarëvajtjen normale të punës, veçanërisht për Komisariatin e Policisë në Ersekë ku transporti realizohet me kafshë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë