Politike

Rusia paralajmëron Shqipërinë: Rezoluta nuk do të kalojë pa u vënë re në Moskë

Rusia paralajmëron “autorët” e projekt/rezolutës antiruse se kjo e fundit nuk do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë pa u vënë re në Moskë.

“Autorët e projektit nuk mund të mos e kuptojnë që “rezoluta” të tilla nuk do të kalojnë pa u vënë re në Rusi. Sulmet e pajustifikuara dhe të pabazuara ndaj një prej anëtarëve aktivë dhe me të drejta të plota të OSBE-së, kryesinë e së cilës pritet të marrë Shqipëria në vitin 2020, aq më tepër, shkojnë në kundërshtim me qëllimet dhe objektivat e kësaj organizate, të cilët konsistojnë në të punuarit së bashku në emër të sigurisë dhe bashkëpunimit në kontinentin europian”, thotë Ambasada Ruse në Tiranë.

Përfaqësia diplomatike e Moskës thotë se Rusia përmendet në këtë projekt/rezolutë pa patur as provën më të vogël.

“U njohëm me projekt-rezolutën e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë «Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare». Rusia përmendet sërish. Për më tepër, për fat të keq, është kthyer tashmë në traditë që Rusia përmendet pa patur edhe provën më të vogël”, thuhet më tej.

Rusia i cilëson “plagjiatura që po përhapen si virus” nisma të tilla.

“Me sa duket, tendenca për plagjiaturë u përhap "si një virus" tek autorët e saj, të cilët ndoqën rrugën e copy-paste. Kuptohet, ata do të duhet t’u paguajnë honorarë krijuesve të rezolutës së cituar kaq shpesh të Parlamentit Europian. Është e qartë se Shqiperia po përballet me «tentativa nga aktorë të huaj (…) për të ndikuar në vendim-marrjen në Shqipëri apo për të ushtruar presion mbi vlerat demokratike, të shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut…” (pika а) preambul i dokumentit). Po ç’hyn këtu Rusia?”, mbyll reagimin e saj Ambasada Ruse në Tiranë.

Por sa real është rreziku i ndërhyrjes ruse në Shqipëri dhe a ka bazë alarmi i dhënë nga Tirana zyrtare? E nominuara për ambasadore e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim përpara Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme në një seancë për konfirmimin e saj iu përgjigj pyetjeve të senatorëve pikërisht për çështjen e rrezikut e ndikimit rus në Ballkan dhe veçanërisht në vendin tonë.

“Mendoj se mënyra për të ecur përpara bazohet në solidaritet, integrim dhe bashkëpunim. Fatmirësisht, përpjekjet e Rusisë në këtë aspekt nuk kanë pasur shumë efekt. Për këtë arsye e kemi për detyrë që t’i mbajmë më afër miq të tillë si Shqipëria në kohë si kjo”, theksoi Yuri Kim.

Ndërkohë kjo dalje e hapur e grupit parlamentar të PS-së, e mazhorancës socialiste që kërkon miratimin e një rezolute të posaçme solli edhe reagimin e parë të Anatoli Shkareda, atasheut të ambasadës ruse në Shqipëri, i cili i konsideroi qesharake
komentet mbi përhapjen e ndikimit rus në vendin tonë.

“Këtu në Shqipëri, për fat të keq, nuk shoh as ndikim pozitiv dhe as ndikim negativ të Rusisë, përveç faktit që kemi vetëm ndikim pozitiv, në kuptimin që ndërtojmë ura bashkëpunimi në aspektin kulturor. Për fat të keq kemi pengesa në bashkëpunimin
tregtar dhe në fushën politike thuajse nuk kemi fare bashkëpunim. Ka vetëm disa takime nënkryetarësh të komisioneve ndërqeveritare, por ka shumë pengesa për shkak të mungesës së vullnetit nga ana shqiptare. Ne e kemi të shtrirë dorën,
por për fat të keq nuk ka përgjigje”, deklaroi Shkareda në një intervistë televizive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë