Bota

Rusia konfirmon vdekjen e Prigozhin

Komiteti Rus i Hetimeve konfirmoi se sipas rezultatit të testit gjenetik të ADN-së, Ivgjeni Prigozhin është mes 10 trupave, që mbetën viktima të avionit të rrëzuar të mërkurën e shkuar.

Prigozhin vdiq gjatë rrëzimit të një avioni privat në veri të Moskës më 23 gusht.

“Sipas këtyre rezultateve, është përcaktuar identiteti i dhjetë viktimave dhe korrespondojnë me listën e pasagjerëve të paraqitur të fluturimit”, tha komiteti.

“Ekzaminimet molekulare-gjenetike kanë përfunduar si pjesë e hetimit për rrëzimin e avionit në rajonin Tver”, tha zëdhënësja e komitetit, Svetlana Petrenko.

Avioni privat Embraer ishte nisur nga Moska drejt Shën Petersburgut. Shkaku i rrëzimit të tij ende nuk është përcaktuar.

Një ditë pas rrëzimit të avionit, presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi tërthorazi vdekjen e Prigozhinit, pasi i shprehu ngushëllime familjesë së liderit të grupit mercenar.

“Ai [Prigozhin] ishte njeri i talentuar”, tha Putini më 24 gusht, duke e quajtur “tragjedi” rrëzimin e avionit.

Ka pasur spekulime se Kremlini mund të ketë qenë i përfshirë në rrëzimin e avionit. Avioni u rrëzua saktësisht dy muaj pasi Wagner kreu një rebelim të shkurtër kundër udhëheqjes ushtarake ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka përshkruar incidentin si “tragjik” dhe i ka quajtur “gënjeshtra” spekulimet për një përfshirje të mundshme të Kremlinit në këtë ngjarje.

Prigozhin, 62 vjeç, kreu një rebelim jetëshkurtër ndaj liderëve ushtarakë rusë më 23-24 qershor. Luftëtarët e tij për një kohë të shkurtër morën nën kontroll qytetin jugor rus, Rostov-mbi-Don, dhe nisën marshimin drejt Moskës. Ata kërkuan largimin nga detyra të ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë