Analize

Rusia, Irani, kufijtë e Kosovës. Rreziqet për sigurinë kombëtare të Shqipërisë

Të mbledhur nga Fondi “Xhorxh Marshall”, një sërë ekspertësh, ambasadorësh, presidentë edhe ish-presidentë ranë dakort se sfida më e madhe e sigurisë së Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë lufta hibride e Rusisë. Sipas presidentit Ilir Meta, zotit Bujar Njishani, apo përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane dhe Gjermane, skenari i ndryshimit të kufijve të Kosovës po krijon një terren të artë për Rusinë, agjentes e së cilës janë shpërndarë në mbarë Ballkanin. Madje për Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, influencat ruse po tentojnë të destabilizojnë Shqipërinë dhe rajonin.

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se ndryshimi i kufijve është një retorikë e rrezikshme, që mund ta kthejë rajonin në të kaluarën e errët. Sipas saj, tensioni politik midis Kosovës dhe Serbisë është kthyer në një precedent për mbarë rajonin.

“Rajoni ynë është ekspozuar ndaj një retorike të rrezikshme rreth ripërcaktimit të kufijve. Një temë që është tejet e ndjeshme dhe ky diskutim nënkupton kthimin tonë në të kaluarën të shënuar me periudha të dhunshme të vuajtjes dhe të përçarjeve. Rusia, në një sistem vlerash të kundërta nga ato të BE vazhdon të ketë influencë të madhe në Ballkan, sidomos përmes aleatit të saj në rajon, Serbisë. Rusia vazhdon të ushtrojë ndikim të madh në rajonin tonë, sidomos në vende si Serbia duke përdorur mjete ekonomike, politike e kulturore. Edhe përmes nxitjes së konflikteve nacionaliste. Qëllimi i tyre është i njohur, minimi i BE dhe NATO-s në Ballkan si forca për promovimin e vlerave demokratike, tha Jahjaga. “Ky ndikim mund ta marrë shumë forma, si përhapja e dezinformatave, lajmeve propagandistike si dhe financimin e lëvizjeve të së djathtës ekstreme”, u shpreh ajo. Ky fenomen nuk cenon vetëm sigurinë e Ballkanin Perëndimor por mbarë Europën. Po shohim shenjat e para alarmuese të këtij ndikimi siç është rritja e mbështetjes për politika të së djathtës ekstreme. Për ne është shqetësues fakti që Serbia vazhdon të luajë lojëra të dyfishta në lidhje me Bashkimin Europian dhe Rusinë, duke rritur bashkëpunimin ushtarak me këtë të fundit”, theksoi ish-presidentja.


Atifete Jahjaga

Ajo iu bashkua të dërguarve të nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja që po përpiqen të bindin të dyja palët të rikthehen në tryezën e dialogut, duke i bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të normalizojnë marrëdhëniet, duke zbatuar marrëveshjet e nënshkruara dhe duke marrë përgjegjësi për krimet e luftës. Duke e vënë theksin tek këto të fundit, duke deklaruar se ende nuk ka asnjë të dhunuar për sulmet seksuale ndaj 20 mijë femrave.

“Edhe 20 vite pas luftës ne ende nuk kemi arritur normalizimin e marrëdhënie me shtetin fqinj të Serbisë. Ne ende nuk kemi asnjë të dënuar për përdorimi e dhunës seksuale si mjet lufte ndaj 20 mijë grave shqiptare”, theksoi ish-presidentja. Ende edhe pas përfundimit të luftës nuk kemi informata për 1600 të zhdukur fati i të cilëve mbetet i panjohur. Prandaj përderisa ne synojmë normalizimin, të gjitha këto çështje duhet të adresohen”, tha ish-presidentja. “ Dialogu është mjeti i vetëm për adresimin e këtyre çështjeve. Por nevojitet një përkushtim më i madh për arritjen e paqes dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Procesi i dialogut është për momentin i stopuar. Që nga vtyi 2013, kur filloi dialogu ne kemi nënshkruar më shumë se 100 marrëveshje, por vetëm 10 % e tyre janë zbatuar për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e palës serbe”, shtoi ajo.

Nga ana tjetër, James Hilton, Përfaqësuesi ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i bindur se kërcënimi më i madh për Shqipërinë nuk është Rusia por Irani. Sipas tij, sfidat e sigurisë për Shqipërinë janë të jashtme dhe të brendshme dhe vijnë për shkak të institucioneve të dobëta demokratike. Hilton i bëri thirrje qeverisë shqiptare të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Shqipëria është një kontributor stabiliteti në NATO dhe rajon. Por edhe pse kemi arritur sukses të madh së bashku kjo nuk është e mjaftueshme. Irani vazhdon aktet e tij deatabilizuese në mbarë botën. Ne e dimë që ai ka shënjestruar Shqipërinë. Ne mbështetim vendimin e Shqipërisë për përjashtimin e ambasadorit iranian, si një mesazh i qartë për regjimin se mbështetja e tyre për terrorizëm nuk do të tolerohet. Ne duhet të kundërshtojmë të gjithë sjelljen destabilizuese të Iranit, ky rrezik nuk mund t’i kalojë kufijtë”, u shpreh ai.

Konferenca e organizuar Fondi “Xhorxh Marshall"

Përfaqësuesi ushtarak i SHBA-ve u ndal edhe tek kërcënimi rus, duke thënë se liderët rus përbëjnë një tjetër kërcënim për rajonin. “Aktivitetet e tyre për të minuar institucionet demokratike në mbarë botën janë të patolerueshme. Rusia ka ndërmarrë një luftë të pashembullt kibernetike që pas aneksimit të Krimesë, të cilin mund ta luftojë vetëm nëse qendrojmë të bashkuar”, u shpreh ai. Duke iu referuar rreziqeve që vijnë brenda kufijve shqiptarë, Hilton theksoi respektimin e institucioneve demokratike lirive dhe të drejtave të njeriut dhe luftën kundër krimit të organizuar.

“Lajmi i mirë është se Shqipëria ka bërë shumë progres, por se ai duhet të vazhdojë. Për të krijuar një mjedis më të mirë ekonomik nga i cili përfitojnë të gjithë, progresi duhet të vazhdojë për përmirësimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Reforma në Drejtësi është duke ndodhur sepse Shqipëria meriton një sistem transparent drejtësie”, u shpreh James Hilton.

Por për Ministren e Mbrojtjes Olta Xhacka, ndikimi rus vazhdon të jenë një nga kërcënimet më të mëdha për Shqipërinë. Sipas saj bëhet fjalë për një përpjekje të mirëmenduar dhe mirë financuar për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor.

Olta Xhacka

Bëhet fjalë për një përpjekje të mirëmenduar, të mirëplanifikuar, të mirëmenaxhuar dhe të mirëfinancuar për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, duke i hapur rrugë kështu, në njërën anë, penetrimit të mëtejshëm të këtyre influencave dhe aktorëve në rajon dhe, në anën tjetër, dobësimit të sigurisë së BE”, u shpreh ministrja. “Vendimi për të ndërtuar në Shqipëri, në Kuçovë, bazën e parë ajrore të NATO-s në rajonin tonë, padyshim që është një sinjal i fortë i vendosmërisë së Aleancës për të qëndruar në rajon, por edhe një sinjal i fortë i rëndësisë së madhe strategjike që po merr rajoni i Ballkanit Perëndimor, në raport me garantimin e sigurisë së Europës. Duhet theksuar po ashtu, që edhe për shkak të historisë, Shqipëria dhe shqiptarët, janë ndoshta i vetmi popull në rajonin tonë, që gëzojnë një imunitet goxha të shëndoshë ndaj përpjekjeve të këtyre aktorëve të ndryshëm, veçanërisht Rusisë, që dëgjojmë shpesh, për të shtrirë influencën këtu. Por,është po ashtu një fakt, që përfshirja e këtyre aktorëve në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë shumë e fortë dhe ç’është më shqetësuese”, theksoi Xhacka.
Duke folur për ndikimin rus, ajo tha se nëse në BE fushatat për shtrirjen e influencës kanë marrë formën e “fakenews”, në rajonin tonë, tentativat për shtrirjen e influencës, kanë arritur deri në tentativa për grusht shteti, apo përpjekje të hapura për të kapur elitat politike dhe ato ekonomike.

“Është një përpjekje që ka marrë formën e një sulmi frontal hibrid në arsenalin e instrumenteve që përdoren; instrumente që shkojnë, që nga iniciativat ekonomike, tek përdorimi i mediave te komunikimit përmes famëkëqijave Fake News, që synojnë të dobësojnë besimin e qytetarëve tek modeli demokratik, apo nxitja e tensioneve etnike, fetare, sociale apo politike dhe, siç e thashë më lart, në një rast ekstrem, u arrit deri në një tentative për grusht shteti ndaj një vendi kandidat për anëtarësim në NATO në atë kohë”, tha ministrja. “Ngjarjet e ditëve të fundit në një nga vendet anëtare të BE, na treguan fare qartë që askush nuk është imun ndaj këtyre përpjekjeve, apo ndaj këtyre influencave. Por siç është e vërtetë që edhe shoqëri e vende me një traditë demokratike e politike shumë më të konsoliduar se ne kanë rezultuar të cenueshëm ndaj këtyre influencave, po aq është e vërtetë që edhe Ballkani Perëndimor, për shkak të pozitës së tij gjeografike, por edhe për shkak të historisë e trashëgimisë se tij etnike, fetare e politike është, si të thuash, hallka më e dobët e zinxhirit”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, garantimi i sigurisë së Ballkanit Perëndimor, nuk mund te arrihet kurrsesi për aq kohë sa rajoni ynë do të mbetet si një xhep i izoluar e i pa integruar ne mes të hapësirës se Bashkimit Europian.

Po ashtu, duke folur për sfidat e sigurisë, Ambasadorja Gjermane në Shqipëri, Susane Shutz, tha se: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Europës dhe janë të rrethuara nga vendet anëtare të BE-së, prandaj çdo problem i tyre është problem edhe i Europës.

“Qytetarët shqiptarë e kanë bërë të qartë se duan që vendi i tyre të jetë pjesë e BE-së. Një javë më vonë, Komisioni Europian do të paraqesë raportin e tij për progresin e Shqipërisë për përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe për anëtarësimin në BE. Pas raportit, qeveria gjermane dhe parlamenti gjerman do të marrin vendimin e tyre për marrin hapat e tjerë logjik për integrimin e Shqipërisë dhe hapjen e negociatave. Mendoj se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme si për shembull Reforma në Drejtësi dhe kjo është edhe arsyeja pse Gjermania do të jetë gjithmonë një mbështetëse e pakushtëzuar e integrimit të Shqipërisë”, u shpreh Ambasadorja. Megjithatë Schutz kritikoi sërish opozitën për djegien e mandateve, duke thënë se ky vendim ka vështirësuar hapjen e negociatave me Shqipërinë.

“Përçarjet e mëdha politike dhe bojkotimi i institucioneve demokratike dhe vendimmarrjes ka ngadalësuar Reformën në Drejtësi dhe ka dëmtuar rrugën europiane të Shqipërisë”, u shpreh ajo. Kjo vështirësohet edhe më shumë nga aktorët e tretë që kanë interesa të caktuara në këtë rajon”, thekson ambasadorja.

Ndikimi rus

Metoda kryesore e Moskës për ngritjen dhe konsolidimin e ndikimit të saj në Ballkanin Perëndimor konsiston në punësimin e agjentëve të Kremlinit për të kryer aktivitete destabilizuese. Edhe pse Rusia i ka përdorur këto mjete për shumë vite me intensitet të ndryshëm, “masat aktive”, siç njihen në shërbimet speciale, janë intensifikuar gjatë tre viteve të fundit falë Nikolai Patrushev. Emërimi i tij si njeri i besuar i Moskës në rajon tregon se sa e rëndësishme është kjo pjesë e Europës për Putinin. Patrushev është mes të tjerash i angazhuar në një sërë aktivitetesh kundër vendeve të ndryshme të Ballkanit.

Aktivitetet e kryera nga shërbimet e inteligjencës ruse në Ballkanin Perëndimor janë intensifikuar pasi një degë e Institutit Rus për Studime Strategjike (RISS) u themelua në Beograd. Gjenerali Leonid Reshetnikov, i cili kishte qenë në krye të Institutit që nga viti 2009 dhe njihet edhe si specialist i Ballkanit, ka zhvilluar një rrjet të gjerë aleatësh, kryesisht në Bullgari dhe Greqi, ku shërbente dikur si agjent. Ai ka ruajtur gjithashtu lidhje të ngushta me familjen e Sllobodan Millosheviqit

Nga ana e saj Moska, ka interesa gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor, si dhe në të gjitha vendet e Mesdheut. Për sa i përket Ballkanit, rajoni ka rëndësi strategjike si një rrugë tranziti për gazin rus dhe së dyti, Moska dëshiron të ruajë rrënjët sllave me vendet e rajonit. Kjo është një strategji mjaft e rëndësishme për Kremlinin, sidomos për aq kohë sa marrëdhëniet midis BE-së dhe Rusisë janë të tensionuara dhe nuk ka gjasa të përmirësohen.

Për më tepër, shtetet e Ballkanit Perëndimor ofrojnë një mundësi të artë për Rusinë për të minuar interesat gjeostrategjike të BE, në këmbim të investimeve të lira strategjike.
Rusia po përdor mjete të ndryshme për të fuqizuar sferën e saj të ndikimit në Ballkanin Perëndimor, përfshi edhe historinë dhe fenë. Kremlini përdor fenë ortodokse për të fuqizuar imazhin e saj si një përkrahës i vlerave tradicionale dhe mediat për të përhapur ndjenjat anti-perëndimore dhe pro-ruse. Një degë e agjencisë shtetërore të lajmeve Sputnik u hap në vitin 2014 në Beograd. Ai nxjerr vazhdimisht raporte sipas ë cilave Perëndimi ka frikë nga Rusia, ndërsa Bashkimi Europian është në prag të kolapsit. Megjithatë ajo që është më tronditëse për serbët janë raportet se Shtetet e Bashkuara mbështesin shqiptarët në përpjekjet e tyre për krijimin e një Shqipërie të Madhe.

Vladimir Putin në Beograd

Një tjetër mjet për fuqizimin e sferës së ndikimit të Kremlinit në Ballkanin Perëndimor konsiston në fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike me vendet e rajonit në sektorë të tillë strategjikë si energjia, tregtia dhe pasuritë e patundshme. Rusia fokusohet kryesisht në sektorin e energjisë, falë Gazpromit, i cili kontrollon kompaninë më të madhe të naftës në Serbi (NIS) për më shumë se një dekadë. Në dhjetor të vitit 2018, Gazprom bleu 51 për qind të aksioneve në NIS-it falë një marrëveshjeje që i dha Moskës kontroll mbi sektorin e energjisë së Serbisë. Nga ana tjetër, Gazprom ka po ashtu një rafineri në tokën bullgare që është objekti më i madh i këtij lloji në Ballkan. Gjithashtu, ajo ka aksione të konsiderueshme në Serbi dhe Maqedoni.
Moska e sheh Ballkanin si një rajon me rëndësi strategjike përmes të cilit mund të dërgojë gazin rus në Europën Qendrore dhe në Itali. Bullgaria dhe Serbia morën pjesë bashku në “Nord Stream 1”, së bashku me Republikën Serbe të Bosnjes dhe Maqedoninë, edhe pse ky tubacion nuk u realizua kurrë. Në tetor të viti 2009, Serbia ia dorëzoi sektorin e saj të gazit Rusisë, nëpërmjet një marrëveshje sipas të cilës Moska merrte nën kontroll objektet strategjike energjitike të Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë