Bota

Rusia do ta humbiste një luftë me NATO-n, paralajmëron Polonia

Një luftë midis Rusisë së Vladimir Putinit dhe NATO-s do të përfundonte me "disfatën e pashmangshme" të Moskës, tha të enjten Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski.

"Nuk jemi ne, Perëndimi, që duhet të kemi frikë nga një përplasje me Putinin, por anasjelltas," tha Sikorski gjatë një fjalimi në Sejm, dhoma e ulët e parlamentit të Polonisë. "Ia vlen ta kujtojmë këtë fakt, jo për të rritur ndjenjën e kërcënimit tek rusët, sepse NATO është një pakt mbrojtës, por për të treguar se një sulm nga Rusia ndaj ndonjë prej anëtarëve të Aleancës do të përfundonte në disfatën e saj të pashmangshme [Rusisë]”.

Sikorski, i cili po parashtronte vizionin e kryeministrit polak Donald Tusk për politikën e jashtme të qeverisë së re, tha se potenciali ushtarak dhe ekonomik i Rusisë "zbehet në krahasim me atë të Perëndimit", pasi NATO ka tre herë më shumë personel ushtarak, dhe katër herë më shumë anije se Rusia.

"Shpresa e vetme e Putinit është mungesa jonë e vendosmërisë," paralajmëroi ai.

Aleatët perëndimorë dhe zyrtarët e lartë ushtarakë janë bërë gjithnjë e më të shqetësuar për një përhapje të mundshme të dhunës nga pushtimi i vazhdueshëm në shkallë të plotë të Ukrainës nga Putini – ndërsa lideri rus vazhdon të lëshojë kërcënime të fshehta bërthamore ndaj Perëndimit dhe fsheh armët atomike në Bjellorusi, e cila kufizohet me anëtarët e NATO-s Polonia, Lituania dhe Letonia.

Sikorski u rikthye në postin e tij si ministër i Jashtëm pas suksesit të Tusk në zgjedhjet e tetorit të kaluar, duke rrëzuar partinë nacionaliste të Polonisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) pas tetë vjetësh në pushtet. Që atëherë, administrata e qendrës së djathtë të Tusk është përpjekur të zhbëjë politikën e viteve të fundit të PiS, duke u zotuar të rivendosë standardet demokratike në vend dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Brukselin.

Tusk kohët e fundit paralajmëroi se Evropa është në një "epokë të paraluftës", por ka ende "një rrugë të gjatë për të bërë" përpara se të jetë gati të përballet me kërcënimin përpara.

Dhe së fundmi, presidenti polak Andrzej Duda tha se Polonia është "gati" të presë armë bërthamore në territorin e saj nëse NATO vendos të përforcojë krahun e saj lindor.

Polonia po kthehet shpejt në një peshë të rëndë të mbrojtjes dhe shpenzuesja e 14-të më e madhe ushtarake në botë, pasi rriti shpenzimet e saj me 75 për qind midis 2022 dhe 2023 në 31.6 miliardë dollarë, sipas të dhënave të publikuara këtë javë nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë