Futboll

Rusia dhe Polonia sigurojnë Europianin, Gjermania fiton me 10 vetë

Pas ndeshjeve të fundit kualifikuese të Euro 2020, Rusia dhe Polonia janë dy skuadrat e tjera që kanë siguruar një “biletë” për në këtë kompeticion, pas Belgjikës dhe Italisë. Këto të fundit janë skuadrat e vetme me pikë të plota, ndërkohë që hapa përpara kanë bërë Hungaria dhe Austria.

GRUPI C — Holanda ka fituar në Bjellorusi, 1-2. “Tulipanët” kanë imponuar lojën e tyre në një ndeshje të mërzitshme në fakt. Dygolëshi i mesfushorit të Liverpulit, Uijnaldum, u duk se futi në “kasafortë” fitoren e holandezëve, por goli i Dragun rihapi ndeshjen dhe Holanda vuajti presionin e ekipit vendës në fund. Gjermania e komplikoi ndeshjen në Estoni, pasi Emre Çan u ndëshkua me karton të kuq shumë shpejt, pas 15 minutash lojë. Por djemtë e trajnerit Joakim Lëv e gjetën mënyrën për të fituar bindshme dhe me 10 vetë. Rojs goditi traversën, ndërsa në pjesën e dytë shënuan Gyndogan dhe Verner, kurse Mets shkaktoi autogol.
Klasifikimi: Holanda 15 pikë, Gjermania 15, Irlanda e Veriut 12, Bjellorusia 4, Estonia 1.

Uijnaldum, autori i dy golave për Holandën në Bjellorusi. Gazeta Si, 14 tetor 2019

GRUPI E — Hungarisë i ka mjaftuar një gol i Korhut në minutën e 10-të për të mundur Azerbajxhanin. Në sfidën Uells-Kroaci, 1-1, duhej një gol i Bajt për të mbajtur gjallë shpresat e uellsianëve për kualifikim. Lojtari i Realit iu përgjigj golit të Vllasiç. Për kroatët barazimi është një rezultat favorizues. Polemika për mënyrën si u veprua nga stafi mjekësor i Uellsit në momentin e dëmtimit të James. Talenti i Mançester Junajtid mori një goditje në kokë dhe mbeti pa ndjenja në fushë, por pak minuta më vonë atij iu kërkua të kthehej në fushë. Në raste të tilla protokolli parashikon që nga stafet mjekësore të ketë kujdes maksimal, për të mos vënë në rrezik jetën e lojtarit.
Klasifikimi: Kroacia 14 pikë, Hungaria 12, Sllovakia 10, Uellsi 8, Azerbajxhani 1.

GRUPI G — Pas një periudhë të vështirë me Napolin, sulmuesi Milik ka gjetur buzëqeshjen me kombëtaren e Polonisë. Ai ka shënuar në fitoren 2-0 ndaj Maqedonisë së Veriut, që vlen kualifikimin në Europian,. Golin tjetër e shënoi Frankovski. Sllovenia është mundur në fushën e saj nga Austria, 0-1, falë një goli të Posh në minutën e 21-të.
Klasifikimi: Polonia 19 pikë, Austria 16, Maqedonia e Veriut 11, Sllovenia 11, Izraeli 8, Letonia 0.

Rusia feston fitoren e thellë në Qipro. Gazeta Si, 14 tetor 2019

GRUPI I — Belgjika vazhdon serinë e fitoreve dhe në Kazakistan, duke shënuar nga një gol në çdo pjesë. Autorët e golave janë Batshuaui në pjesën e parë dhe Meunier në të dytën. Rusia ka fituar thellë në Qipro, 0-5. Një fitore që u garanton rusëve fazën finale të Euro 2020. Golat për ekipin e drejtuar nga Çerçesov janë shënuar nga Çerishev (dopietë), Ozdoev, Dzuba dhe Golovin. Skocia ka mundur thellë San Marino, 6-0.
Klasifikimi: Belgjika 24 pikë, Rusia 21, Qipro 10, Skocia 9, San Marino 0.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë