Bota

Rusia arreston dy gazetarët e AP-së dhe të Reuters

Gazetarët Sergey Karelin dhe Konstantin Gabov, të cilët punonin për Associated Press dhe Reuters, janë arrestuar në Rusi. Ata dyshohet se punonin për organizatën e politikanit të ndjerë Alexei Navalny. 

Karelin, një gazetar i cili raportonte për Associated Press dhe Deutsche Welle, u arrestua në Murmansk të dielën.

Ai akuzohet se ka punuar për Fondacionin Kundër Korrupsionit (FBK). Nuk është bërë akoma e qartë se për cilin nen të kodit penal akuzohet gazetari apo ku po mbahet i burgosur.

Ndërsa, më 27 prill, një gjykatë në Moskë e dërgoi Gabovin në qelinë paraburgimit. Sipas shërbimit të shtypit të gjykatës dhe agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Gabov dyshohet se ka marrë pjesë në një "komunitet ekstremist" duke ofruar materiale foto dhe video për kanalin YouTube Navalny Live.

FBK-ja ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë në lidhje me ndalimin e Gabov dhe Karelin.

Arrestimet e gazetarëve rusë me dyshimin për bashkëpunim me FBK-në filluan në pranverën e këtij viti.

Më 27 mars, gazetarja e Rusnews Olga Komleva u transferua në qelitë e paraburgimit. Përpara se FBK-ja të etiketohej si "organizatë ekstremiste", ajo doli vullnetare të punonte në selinë lokale të Navalny.

Antonin Favorskiy, një gazetar dhe fotograf i Sotavision, u arrestua gjithashtu në Moskë në mars pasi filmoi pamjet e fundit ku shfaqej Navalny.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë