Bota

Rusi, konsullit japonez i lidhen sytë dhe merret në pyetje si i akuzuar për spiunazh

Gazeta Si - Historia e konsullit japonez Motoki Tatsunori i arrestuar në Rusi rrezikon të kthehet në një çështje diplomatike me shtrirje të gjerë.

Shërbimet sekrete ruse të FSB-së e arrestuan atë me akuza të rënda për spiunazh, pasi dyshohet se pagoi një burim për të marrë informacion të klasifikuar mbi efektet e sanksioneve perëndimore kundër Moskës.

Japonia mohon dhe kërcënon me hakmarrje sidomos për trajtimin që ka pësuar konsulli japonez, të cilit, sipas asaj që u tha, i kanë lidhur sytë dhe është kërcënuar.

Shërbimet ruse të sigurisë e kishin ndjekur prej disa kohësh, siç dëshmojnë pamjet e regjistruara me një kamerë të fshehtë brenda një dhome ku shihet Tatsunori duke folur me një grua.

Videoja tregon burimin duke i dorëzuar diplomatit një paketë dokumentesh: për FSB-në kjo do të ishte provë dërrmuese e përfshirjes së tij në aktivitete spiunazhi.

Ai do të kishte marrë dokumente sekrete mbi ndikimin ekonomik të sanksioneve të vendosura nga vendet perëndimore në rajonin Primorski të Rusisë dhe mbi bashkëpunimin e Rusisë me një vend tjetër aziatik.

Është ende e paqartë nëse këto janë vende si Kina dhe Koreja e Veriut që po vëzhgohen nga Japonia. Por qeveria e Tokios ka mohuar çdo akuzë dhe ka paraqitur një "protestë të fortë".

Sipas agjencisë së lajmeve "Reuters", duke cituar një zëdhënës të qeverisë japoneze, konsullit iu lidhën sytë dhe u trajtua në një mënyrë "frikësuese" gjatë një marrje në pyetje që zgjati disa orë në qytetin port të Vladivostok, i cili ndodhet në kufirin me Korenë e Veriut.

Incidenti është "një shkelje e qartë e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike", thonë burime nga Tokio, të cilët e përkufizojnë aferën si "të papranueshme".

Pas lirimit të tij, Kremlini e shpalli konsullin person “non grata” dhe thirri ambasadorin japonez në ministrinë e Jashtme, të udhëhequr nga Sergej Lavrov.

Në Japoni, megjithatë, autoritetet tërhoqën ambasadorin rus, të cilit i kërkuan t'i kërkonte një falje formale, përndryshe do të merren kundërmasa.

Në muajt e fundit, Rusia kishte përfshirë Japoninë në listën e vendeve armiqësore për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës, si kundërmasë ndaj luftës në Ukrainë, por ky rast rrezikon të përkeqësojë më tej marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë