Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka zhvilluar një takim rreth 60 minuta në ambientet e Presidencës me kreun e shtetit, Ilir Meta.
Takimi Ruçi-Meta që u zhvillua në Presidencë erdhi me kërkesë të kreut të Kuvendit. Takimi erdhi fill pas vendimeve të fundit të maxhorancës, miratimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafajt nesër në një seancë të jashtëzakonshme si dhe emërimin e Sandër Lleshit zëvendësministër i Brendshëm. Besohet që këto dy çështje kanë qenë në qendër të bisedës. Por, zyrtarisht Presidenca njofton se temë bisede kanë qenë zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Presidenti Meta e njohu Kryetarin Ruçi me konsultimet e zhvilluara prej tij për datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Gjithashtu, Presidenti Meta i bëri me dije Kryetarit Ruçi zhvillimin e procedurave transparente për të ftuar kandidatët, të cilët kanë paraqitur interesin për Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, me qëllim përzgjedhjen e një kandidati të përshtatshëm dhe me integritet për këtë pozicion të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ndërkohë, siç edhe shihet, pas takimit, kreu i shtetit është kujdesur ta përcjellë mysafirin deri te dera ku edhe e priste makina, ndryshe nga një ditë më parë, kur nuk e përcolli Ramën.
Paraditen e djeshme edhe kryeministri pati një takim 90-minutësh me presidentin Meta.
Ndërkohë, parlamenti pritet të mblidhet ditën e martë në një seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00 për të votuar dekretin e presidentit Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafaj, pas dorëheqjes së tij si ministër i Brendshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.