Lajme

Ruçi: Ky sesion do të vulosë çeljen e negociatave

Një ditë pas nisjes së sesionit të ri parlamentar, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në një bashkëbisedim me gazetarët ka paraqitur arritjet e sesionit të shkuar parlamentar.

Sipas tij, një ndër arritjet më të mëdha është miratimi i reformës në drejtësi.

Po ashtu ai nuk la pa përmendur edhe disa nga mangësitë e sesionit të kaluar, ku një prej tyre ishte dhe mosmiratimi i projektligjit për Magjistraturën.

“Reforma në drejtësi është sukses i madh i sesionit të kaluar parlamentar. Siç e theksova dhe dje angazhimi jonë për reformën nuk ka sjellë atë produkt që prisnim. Kështu Këshilli për Legjislacionin nuk përmbushi detyrën për Gjykatën Kushtetuese dhe Kuvendi nuk miratoi dot kryeinspektorin e lartë të drejtësisë për shkak të mosfunksionimit të KLP. Një tjetër mangësi e atij sesioni ishte mosmiratimi i ‘Magjistraturës’. Roli i Kuvendi u forcua dukshëm. Gjatë sesioni që lamë pas u depozituan 63 pr.ligje. U miratuan 55 ligje, nga të cilat me shumicë të cilësuar 26, dhe me konsensus 8 ligje. Prej shtatorit u miratuan me konsensus 17 ligje, pra 1/5 e akteve të miratuara nga Kuvendi. Opozitës iu plotësuan të gjitha kushtet për të ushtruar shumicën qeverisëse”, u shpreh Ruçi.

Për sesionin e ri parlamentar, i cili nisi një ditë më parë, ku u zhvillua pa pjesëmarrjen e opozitës, kreu i Kuvendit theksoi se në këtë sesion do të vuloset çelja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë