Politike

Ruçi dhe kryeparlamentarët e rajonit, letër BE-së: Fondet IPA kundër COVID-19

Kryeparlamentarët e 7 vendeve të Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar me një letër Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, dhe Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nëpërmjet së cilës u propozojnë Parlamentit dhe Komisionit Europian disa masa shtesë për luftën ndaj pandemisë në rajonin tonë.
“Të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës së pandemisë COVID-19, numrin e personave të infektuar dhe pajisjet e pamjaftueshme mjekësore të vendeve tona, sot, më tepër se kurrë, kemi nevojë për solidaritet, një qasje të koordinuar dhe veprim të përbashkët. Ndaj, kërkojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor: Të përjashtohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e paisjeve mjekësore nga Bashkimi Europian dhe të përfshihen në skemën e autorizimit të eksportit BE-së. Të kenë akses në prokurimin e përbashkët me BE-në të paisjeve mjekësore për të luftuar pandeminë”, thuhet në letrën e drejtuar presidentes së KE-së.
Më tej në letrën e tyre, kryeparlamentarët kërkojnë që të lejohen që një pjesë e fondeve të Programit IPA II dhe të gjitha fondet e tjera në dispozicion nga burimet e BE-së të përdoren për të luftuar pandeminë COVID-19. “Veç masave të propozuara, në emër të parlamenteve të vendeve tona, mirëpresim çdo lloj ndihme që Bashkimi Evropian është i gatshëm të vejë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor.”, shkruhet në letër e kryeparlamentarëve.
Letra është nënshkruar nga Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë; Denis Zvizdiç; Kryetar i Dhomës së Përfaqësueve të Bosnjë- Hercegovinës dhe Dragan Çoviç, Kryetar i Dhomës së Popujve të Bosnjë-Hercegovinës; Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës; Ivan Brajovic, Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi; Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut; Maja Gojkoviç, Kryetare e Parlamentit të Serbisë.

Më Shumë