Lajme

Rruga e Arbrit jo më iluzion

Kryeministri Edi Rama përpara dibranëve premtoi se Rruga e Arbrit nuk do të jetë më iluzion.

Teksa foli para tyre ai tha se kio rrugë është bërë objekt diskutimesh, debatesh dhe akuzash.

Mes të tjerash Rama tha se sapo kishte fituar një bast me ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, pasi i kishte thënë më herët se sapo ai të niste fjalën, do të binte shi.

“Ky është një takim i shumëpritur për një takim të lidhur me besë si Arbri dikur moti. Siç e deshën të parët tanë, e në radhë të parë të parët tuaj. Ky vizion do të jetë i vërtetë. Rruga e Arbrit nuk do të jetë më iluzion. Dhe sapo e fitova bastin me Oltën se i thashë: kur të flas unë do të fillojë shiu, pasi pa bereqet nuk mbaron ky takim. Pse kjo rrugë ka ngritur kaq shumë pikëpyetje. Kur rrugë ndërtohen dhe në vendin tonë mungojnë shumë. Pse rruga e Arbrit është çështje kombëtare?”, tha Rama.

Kryeministri përsëriti sërish se qeveria e Sali Berishës u la shumë borxhe dhe se projektet e rrugëve të kohës së Berishës ishin skandaloze. Mes tyre edhe projekti për Rrugën e Arbrit.

“I vetmi realitet deri më sot kanë qenë shpërdorimet që lanë pas rrugë të lëna rrugëve dhe një mal borxhesh. Le të bëjmë ca hesape që duhet t’i dëgjojnë edhe ata që pyesin pse zgjati kaq shumë nga zotimi te realizimi ky projekt strategjik. Kur morëm mandatin, ne na u desh të pagunim 5 kontrata me vlerë 2.9 miliardë lekë për ta hapur rrugën e Dibrës si skenë për daulle dhe shirita. E njëjta situatë ishte në të gjithë Shqipërinë. E dini sa ishin detyrimet e programit transport rrugor në fund të 2013? 43 miliardë lekë të reja, që ne u detyruam katër vjet t’i shlyejmë një për një”.

Kur ishte në opozitë dhe sa erdhi në pushtet, Edi Rama e ironizoi vazhdimisht Sali Berishën, duke thënë se ai bënte vetëm “rrugë, rrugë, rrugë”.

Por tashmë, thuajse çdo ditë, në rrjetin e tij social FB ka premtime për rrugë, rrugë, rrugë. Këto janë të shoqëruar me projekte tredimensionale. Ironia e komentuesve nuk është ndalur, pasi ata tashmë në mandatin e dytë duan gjëra konkrete, jo vetëm projekte në 3D.

Edhe justifikimi i Ramës se rrugët e bëra kanë qenë pa standarde në kohën e Berishës, nuk po pranohet nga komentuesit. Nuk janë të paktë ata që druhen se rrugët do bëhen vetëm me pagesë.

Sfida e madhe në këtë mandat të dytë të Ramës do jetë që të provojë se rrugët do kthehen në realitet, jo vetëm në projekt. Dibranëve u premtoi se do u vijë për fushatë përmes rrugës së ndërtuar. Të presim, edhe pse koha është e pamëshirshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë