Njerez

Rrudhet popullsia, Vlora më shumë vdekje se sa lindje

Parashikimet më të hershme të INSTAT dhe organizmave të tjera ndërkombëtare  (fillimi 2015) se Hemorragjia e ikjeve të shqiptarëve do të vazhdojë të paktën edhe për 15 vitet të tjera dhe mosha mesatare e popullsisë nga 35 vjeç aktualisht pritet të arrijë në 41,7 vjeç në vitin 2031, reflektohet në statistikat e matura çdo tremujor.

Në tremujorin e dytë të 2018 INSTAT thotë se shtesa natyrore e popullsisë ka një rënie me 69, 9% në krahasim me tremujorin e dytë 2017.

Lindjet në këtë periudhë  qenë 5.592, duke rënë me 25,3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Numri i vdekjeve për të njëjtën periudhë ishte 4.823, me rënie prej 2,2 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2017.

Sipas INSTAT, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, shënon vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 763 numrin e vdekjeve.

Në tremujorin e dytë 2018, shtesa natyrore regjistron vlerë negative në pesë qarqe. Vlera më e ulët shënohet në qarkun e Vlorës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 164 numrin e lindjeve.

Më parë INSTAT ka parashikuar se numri i fëmijëve do të vazhdojë të bjerë me një të katërtën dhe numri i të moshuarve do të rritet me katër të pestat deri në vitin 2031. Kjo do të çojë drejt plakjes së avancuar të popullsisë. Numri i fëmijëve më pak se 15 vjeç do të bjerë me 30% deri në vitin 2031. Ndërsa numri i të moshuarve me moshë 65 vjeç e lart do të rritet me 84% në krahasim me vitin 2011, për të arritur ndërmjet 570.445 dhe 604.693 individëve në vitin 2031. Numri i individëve shumë të moshuar (me moshë 80 vjeç e lart) pritet të dyfishohet sipas të gjithë parashikimeve, duke arritur në më shumë se 120.000 në vitin 2031.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë