Bota

Rrjedhje radioaktive? Kina: Asnjë anomali në centralin nuklear të Taishanit

Pekini thotë se nuk ka pasur asnjë ndryshim në nivelet e rrezatimit të uzinës bërthamore Taishan në jug të vendit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian, tha se "nuk ka anomali në nivelet e rrezatimit rreth termocentralit bërthamor dhe siguria është e garantuar".

Një deklaratë që përgënjeshtron alarmin e dhënë një ditë më parë nga SHBA-të, të cilat u informuan në 8 qershor nga kompania franceze “Framtome” për një rrezik “rrjedhjeje radioaktive”.

Termocentrali në Taishan ndodhet afër Hong Kongut. Në ish-koloninë britanike, nivelet e rrezatimit tani janë normale, sipas Observatorit të Hong Kongut.

“Framatome”, një kompani franceze që ndihmon në menaxhimin e uzinës, njoftoi të hënën se kishte një "problem të performancës" dhe se struktura tani po funksionon brenda kufijve të sigurt.

Komenti erdhi pasi CNN, duke cituar burime nga “Framatome”, tha se autoritetet amerikane ishin paralajmëruar për një rrjedhje të mundshme radioaktive. Guvernatori i Hong Kongut, Carrie Lam, tha se do të kërkojë informacion nga autoritetet në Guangdong.

Kina është një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë bërthamore dhe po ndërton reaktorë të rinj në një kohë kur pak qeveri të tjera kanë plane për impiante të ndryshme më të gjelbra (si dielli dhe era) dhe që po bëhen me kosto konkurruese.

Udhëheqësit kinezë, e shohin energjinë bërthamore si një mënyrë për të zvogëluar ndotjen e ajrit dhe për të zvogëluar kërkesën për naftë dhe gaz të importuar.

Planet e Pekinit kërkojnë që Hong Kongu të përdorë më shumë energji bërthamore kontinentale për të lejuar mbylljen e termocentraleve me qymyr.

Fabrika e Taishanit, e cila filloi punën në dhjetor 2018, është në pronësi të “China Guangdong Nuclear Power Group” dhe “Electricité de France”, aksionari më i madh i “Framatome”.

Një reaktor i dytë, hyri në punë në shtator 2019. Ata janë të parët e një lloji të ri të quajtur reaktorë evropianë me presion. Dy të tjerë janë në ndërtim e sipër në Finlandë dhe Francë.

CNN njoftoi se “Framatome” i shkroi Departamentit Amerikan të Energjisë, duke e paralajmëruar për një "kërcënim të pashmangshëm radiologjik" dhe akuzoi autoritetet kineze për rritjen e kufijve të pranueshëm për rrezatim jashtë uzinës për të shmangur detyrimin e mbylljes së tij. Zyrtarët amerikanë besuan se nuk kishte kërcënime serioze të sigurisë, tha CNN.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë