Politike

Drejt numrit të artë 84! 6 deputetë të opozitës deklarojnë votën pro 5 qershorit

Marrëveshjes PS-PD-LSI, të arritur në Këshillin Politik më 5 qershor i duhen vetëm 3 vota për t’u miratuar në Kuvend. Gjashtë deputetët të opozitës parlamentare deklaruan këtë të enjte votën e tyre pro këtij pakti, që socialistët do ta fusin për miratim në seancën plenare të 23 korrikut.

Deputetët Lefter Maliqi, Fatjona Dhimitri, Suzana Topi, Gjetan Gjetani, Artur Roshi dhe Besnik Troplini janë ata që kanë dalë hapur pro marrëveshjes dhe duke iu bashkuar 75 votave të deputetëve socialistë shkon në 81 numri i votave të deklaruara pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, nga 84 që duhen në total.

Kësaj liste pritet që t’i bashkohen edhe të tjerë deputetë opozitarë. Njëri prej tyre, Kostaq Papa e dha sinjalin në seancën e kësaj të enjte, ku nuk iu bashkua ftesës së Myslim Murrizit për të bojkotuar seancën. Murrizi tha se bojkoti ishte vota kundër paktit që rikthen PD-LSI në Parlament.

Deputeti Lefter Maliqi foli për të paktën 11 deputetë opozitarë që janë gati të mbështesin marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik, duke e çuar teorikisht numrin total të votave pro kësaj marrëveshjeje në 86.

“Unë kam deklaruar që jemi mbi 11 deputetë që votojmë marrëveshjen në rezidencën amerikan. Unë do vij me 6 deputetët, po 3 të parët e dhanë deklaratën. Ne jemi mbi 11 deputetë dhe kjo i shërben drejtpërdrejtë integrimit në Bashkimit Europian”, deklaroi ai.

Maliqi tha se marrëveshja mbështetet nga Brukseli dhe Uashingtoni dhe se opozita parlamentare nuk mund t’i dalë kundër. Ai u bëri thirrje socialistëve që ta kalojnë në seancë për miratim pa vonesa.

Artur Roshi dhe Besnik Troplini thanë se vota pro ishte votë për të plotësuar një prej kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave, ndërsa deputetet Suzana Topi dhe Fatjona Dhimitri kofirmuan votën e tyre në favor të paktit, duke deklaruar se ajo i shërben integrimit të vendit në BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë