Politike

Debati për koalicionet, mesazhi i Yuri Kim dhe vija e kuqe e PD

Futja e Taulant Ballës në lojë dhe përjashtimi i Damian Gjiknurit nga negociatat me opozitën parlamentare për ndryshimet Kushtetuese ka sjellë një trajektore të re zhvillimesh në skenën politike shqiptare.

Nuk ka më negociata teknike, edhe pse e parë hollë, ndryshimet kushtetuese të propozuara nga disa deputetë në emër të Myslim Murrizit, duheshin trajtuar në atë rrafsh.

Në lojë nuk janë futur vetëm përfaqësues politikë, (Rama shkoi më Ballën në tryezën me Murrizin dhe Hajdarin) por edhe vetë ndërkombëtarët.

Sepse kohet e fundit ka një lojë të hapur nga Rama për ta lënë pezull çështjen, ku i djeg më shumë PD-së, ndalimin e koalicioneve parazgjedhore (një nga tre pikat e ndryshimeve kushtetuese).

Prej dy ditësh qoftë me të vetët, por edhe në qëndrime publike, Rama ka lënë të hapur debatin se deri në fund të muajit korrik listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore do të jenë objekt diskutimi.

Kjo ka risjellë në lojë ndërkombëtarët (sa herë që në vend ka ngërçe politike).

Basha prej dy ditësh po takohet me ambasadorë të rëndësishëm në vend, ndërsa ka një angazhim konkret të Ambasadores amerikane, Yuri Kim, “në tokën” e së cilës, u firmos një marrëveshje PD-PS-LSI që nuk përfshin askund ndryshimet kushtetuese të propozuara nga një tjetër palë; opozita e re.

Ambasadorja amerikane zhvilloi një takim me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, njeriu i cili ka marrë përsipër (në emër të Edi Ramës) të negociojë me opozitën e re parlamentare.

Takimi i zhvilluar në kryesinë e Kuvendit kishte si qëllim ruajtjen e marrëveshjes të firmosur nën bekimin e ndërkombëtarëve, duke shmangur në këtë mënyrë debatin e dytë që po ndodh në Kuvend ajo për ndryshimet kushtetuese që do duhet të ketë një konsultim shumë të gjere sesa një grup deputetësh që politikisht nuk përfaqësojnë më as opozitën në Kuvend.

Përpjekja e ndërkombëtarëve për të qëndruar tek pakti i parë, pa u fokusuar tek një tjetër debat
(që në thelb do të trazonte ekuilibrat politik në vend), është një sinjal i qartë për vetë mazhorancën, se Kushtetuta nuk duhet të preket.

Partia Socialiste nuk e ka dhënë ende fjalën e fundit. Duke iu drejtuar opozitës në Kuvend, Taulant Balla tha se në këmbim të votave për Kodin ,“ ne jemi të gatshëm të diskutojmë për hapje të listave. Ju keni kërkuar që kjo të shoqërohet me disa kufizime, që kanë të bëjnë edhe me koalicionet. Këto çështje vazhdojnë të diskutohen”. Një qëndrim konstant i përcjellë prej ditësh edhe nga vetë kryeministri Rama.

Balla foli në mungesë të opozitës parlamentare e cila u largua nga punimet e Kuvendit me argumentin se ajo nuk do të votonte Kodin Zgjedhor nëse nuk do të plotësoheshin kërkesat e saj për zgjedhjet.

“Ju kërkoni lista të hapura, ne jua kemi thënë troç, listat nuk janë tabu për ne, mund të hapen, por pa dyshim që ka disa rregulla, norma bashkëshoqëruese, sepse të gjithë e dimë që nëse hapim listat, fleta e votimit, nëse është ky sistem siç është, fleta e votimit bëhet një libër me 100 faqe, ku duhet të hapësh kapitullin që të gjesh koalicionin, e pastaj të gjesh faqen ku është partia që ti preferon. Po kjo histori, që ju vini kushte duke ikur, ata duke bërtitur, ju vini kushte për të mos votuar një marrëveshje që, unë bie dakord nuk është më e mira, por ishte një marrëveshje që na garanton që të diskutojmë...

Ne do të vijojmë komunikimin në komision të ligjeve për të diskutuar, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për hapjen e listave, ndoshta jo të plotë, si një hap të parë...”

Por nuk është ky debati për forcën më të madhe në opozitë. PD-ja nuk kërkon të futet fare në detajet e propozuara nga një grup deputetësh i opozitës parlamentare sepse diskutimi do të kalonte më pas tek, thembra e Akilit për të; koalicionet parazgjedhore, që nëse ndalohen, matematikisht e çojnë atë në opozitë edhe për një periudhë tjetër katër vjeçare...

Ndaj dhe, paralelisht me angazhimin e ndërkombëtarëve për t'i qëndruar paktit të parë, Partia Demokratike shpërndan një qëndrim jo zyrtar për ndryshimet kushtetuese ku e çon debatin larg, deri tek populli, për të vendosur ky i fundit përmes referendumit.   

“...Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut. Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve.

Ndaj, hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakordësisë së 5 Qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, thuhet në qëndrimin e PD-së.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë