Treg

Rritja e çmimeve, turistët ‘braktisin’ Kroacinë

Rritja e ndjeshme e çmimeve tani po e vë në rrezik të madh reputacionin e Kroacisë si një destinacion udhëtimi i përballueshëm.

Numri i turistëve që vizitojnë Kroacinë ka rënë ndjeshëm, duke i dhënë një goditje të madhe industrisë. Vendi ballkanik ka qenë një parajsë për vizitorët nga Gjermania, Austria, Republika Çeke dhe Italia, shumë prej të cilëve janë tërhequr nga çmimet më të lira që gjenden atje.

Megjithatë, në tre vitet e fundit çmimet e turizmit në Kroaci janë rritur me një shifër marramendëse prej 50%. Rritja e çmimeve po e bën Kroacinë më të shtrenjtë se dy nga rivalët e saj më të mëdhenj – Spanja dhe Greqia. Kostot në dy vendet mesdhetare janë rritur vetëm me 15-20% gjatë së njëjtës periudhë.

Kostot në rritje nuk janë rezultat i faktorëve të jashtëm, siç janë kostot e energjisë ose normat e taksës mbi vlerën e shtuar (TVSH) por sipas ekspertëve, shkaku kryesor për rritjen e çmimeve qëndron në rritjen e kostove operative brenda industrisë së mikpritjes.

Çmimet më të larta kanë sjellë një ngecje në net qëndrimet dhe, çka është më shqetësuese, një rënie në shpenzimet turistike.

Gjatë sezonit kulmor të verës vitin e kaluar, të ardhurat nga turizmi i huaj në Kroaci ranë me 0.7% krahasuar me vitin paraardhës.

Turistët kanë shprehur zemërimin e tyre për rritjen e ndjeshme të çmimeve në platformat e vlerësimit të udhëtimeve, si Tripadvisor.

Një norvegjez mbeti thellësisht i zhgënjyer pasi kaloi pushimet në Kroaci vitin e kaluar.

“Gjithçka është shumë më e shtrenjtë se më parë,” shkroi ai.

“Çmimet janë jashtëzakonisht të larta dhe ndoshta janë rritur dy deri në tre herë në dy vjet”, thotë një tjetër turist.

Ndërkohë një tjetër shkruan se çmimi i një shezlongu është 25 deri në 30 euro!

“Kroacia ishte zgjedhja jonë e parë për pushimet verore, por tani gjithçka për fat të keq është bërë shumë e shtrenjtë. Nuk e di nëse do të kthehemi. Më vjen keq që Kroacia po zhvillohet në këtë drejtim”.

Burimi: Express. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë