Kosova

Rritja e çmimeve: Deri në 700 euro kostoja e një familjeje për të mbuluar shpenzimet elementare

Shpenzimet mujore të një familje në Kosovë për të përmbushur vetëm nevojat elementare janë nga 500 deri në 700 euro. Sipas ekspertëve kjo shifër ndryshon dhe nuk është e njëjtë për të gjithë, ngaqë dallimet në mënyrën e të jetuarit janë shumë të mëdha, nga varfëria ekstreme e deri te jeta luksoze. Në këtë shumë ka ndikuar edhe rritja e çmimeve për artikujt ushqimorë bazikë.

Haki Shatri

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri thotë se kostoja mesatare për të mbuluar shpenzimet e një familjeje duke pasur parasysh edhe çmimet e ngritura nuk e mbulojnë as 500-euroshin.“Nën 300 euro, një familje 5 anëtarëshe është nuk besoj se mundet t’ia dalë. Po flas për ato të nivelit më të ulët. Por nëse marrim një standard normal, 500 euro nuk i mbulojnë të gjitha kërkesat”, thotë Shatri.

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë Erton Bega thekson se për të plotësuar nevojat mesatare të një familje kosovare, kosto duhet të jetë afro 700 euro në muaj. “Agjencia e Statistikave të Kosovës ka vite që nuk publikon raportin e anketës mbi buxhetin e ekonomive familjare. Raporti i fundit që është publikuar është i vitit 2017 apo 2018. Sipas këtij raporti një familje mesatare në Kosovë shpenzon në koston e jetesës mesatare, diku mbi 600 euro në muaj. Sigurisht që nëse sot llogaritet inflacioni, i cili ka ngritur të gjitha çmimet, kjo është një kosto më e lartë dhe duhet të jetë afro 700 euro në muaj”, thotë ai.

Sipas Begës, ekonomia kosovare varet nga diaspora dhe zakonisht kur ata janë të pranishëm Kosova mund të ketë jetë luksoze, pasi konsumi i produkteve të shtrenjta rritet. “Kosova nuk është vend i lirë. Kostoja e jetesës në Kosovë është më e shtrenjtë se sa në vendet e rajonit, kjo qoftë për shkak të politikave fiskale në aspektin e tatimit në vlerën e shtuar, qoftë përmes dallimit që ekziston në shtresat shoqërore. Ne jemi një ekonomi që varemi shumë nga diaspora dhe remitancat. Zakonisht në periudhën e verës kur ata janë të pranishëm, jeta në Kosovë mund të konsiderohet luksoze sepse konsumi rritet te produktet më të shtrenjta”, shprehet eksperti.

Erton Bega

“Por problemi më i madh i ekonomisë sonë është që ne shtresën e mesme e kemi shumë të vogël thuajse inekzistente. Diskrepanca që është ndërmjet shtresës me të ardhura të ulëta dhe asaj me të ardhura të larta është jashtëzakonisht e madhe dhe kjo nuk është e shëndetshme për ekonominë tonë sepse diferencat janë shumë të mëdha dhe përballimi me problemet është i ndryshëm”, thotë Bega.

Ish-ministri Shatri shprehet se ky dallim po rritet gjithnjë e më shumë. “Po po thellohet dallimi, po shihet. Këtë e sheh në çdo hap që e bën në jetën normale, në rrugë, dikush ka vetura luksoze dikush s’ka hiç. Dikush shkon çdo javë në pushim javor të paktën deri në Shqipëri ose disa që munden, shkojnë edhe në Dubai”, thotë Shatri. Në Kosovë, sipas tij, ka shumë varfëri ekstreme. “Kosova është vendi më i pa zhvilluar në Evropë. Nuk e di, me Moldavinë po e krahasojnë nganjëherë. Por po flas për këtë pjesën e Ballkanit sidomos, është vendi më i pazhvilluar edhe më i varfër. Është shumë absurde se si mundet që një vend me kaq shumë pasuri natyrore, të ketë kaq shumë varfëri prezente. Që i bie që është dobësi e menaxhimit me pasurinë e vendit”, thotë Shatri.

Sa i përket pagës minimale të propozuar, ai konsideron se nuk i plotëson nevojat e një familjeje dhe se ky propozim i Qeverisë është “lojë e mashtrim”. “Kjo ekzistuesja nuk është gjë fare. Edhe kjo e propozuara, jo, nuk i plotëson. Edhe kjo që nuk është në fuqi ende, nuk është aprovuar. Duket që ka njëfarë loje këtu. Propozohet, opozita kërkon të rritet ajo, maxhoranca e ka propozuar vetë, por vetë nuk i bën numrat për ta votuar. I ka mbi 50% të votave në Kuvend edhe si bëhen deputetët e vet. Është një lojë, duket që është një mashtrim”, shprehet Shatri.

Edhe eksperti Bega thotë se paga minimale nuk e zgjidh komplet problemin social për shkak se do të preken shtresat të cilat paguhen më së paku. “Paga minimale është mirë që është iniciuar të ndryshohet dhe të rritet sepse për 14 vite nuk është ndryshuar asnjëherë. Mirëpo kjo nuk zgjidh komplet problemin social që ka Kosova, sepse me pagë minimale do të preken shtresat të cilat paguhen më së paku”, thotë ai, ndërsa thekson se papunësia ndikon në rritjen e nivelit të varfërisë sidomos në zonat rurale.

“Sigurisht që varfëria mbetet një problem jashtëzakonisht i madh. Familjet të cilat jetojnë në skema sociale marrin të ardhura jashtëzakonisht të vogla nga buxheti i Kosovës prandaj, papunësia e lartë ndikon rritjen e varfërisë dhe shumë familje sidomos në zona rurale vazhdojnë të ballafaqohen me sfida të jetesës pasi të ardhurat që ua ofron shteti në baza mujore janë të pamjaftueshme për të mbuluar koston minimale të jetesës”, thotë Bega. /EO


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë