Biznes

Rritja e biznesit në Europë u ngadalësua në maj pasi fabrikat hasën vështirësi

Aktiviteti i biznesit në Eurozonë u mbështet muajin e kaluar nga industria dominuese e shërbimeve të bllokut, duke kompensuar një rënie të thelluar në sektorin e prodhimit, sipas një sondazhi i cili gjithashtu tregoi se presionet e përgjithshme të çmimeve ishin ulur.

Indeksi përfundimtar i përbërë i Menaxherëve të Blerjeve (Purchasing Managers’ Index, PMI) i HCOB, i përpiluar nga S&P Global dhe i parë si një matës i mirë i shëndetit të përgjithshëm ekonomik, ra në nivelin më të ulët tremujor në 52.8 në maj, nga 54.1 në prill.

Ndërsa ende më lart se vlera 50, që ndan rritjen ekonomike nga rënia, vlerësim paraprak i tij ishte 53.3.

PMI, që mbulon sektorin e shërbimeve, ra në 55.1, nga niveli më i lartë një-vjeçar i prillit prej 56.2.

PMI e prodhimit tregoi se rënia në aktivitetin e fabrikave u thellua, pasi kërkesa ra pavarësisht çmimeve në rënie.

Presionet e përgjithshme të kostos, ishin më të ulëta në muajin maj dhe indekset e përbëra të çmimeve të lëndëve të para dhe të prodhimit ranë. Indeksi i prodhimit ra në 56.4 nga 56.8, më i ulëti që nga prilli 2021.

Ndërsa kjo ka të ngjarë të mirëpritet nga politikëbërësit në Bankën Qendrore Europiane, të cilët ende nuk e kanë ulur inflacionin, kjo ishte kryesisht për shkak të uljes së çmimeve nga fabrikat pasi firmat e shërbimeve, të vëzhguara nga afër nga BQE, rritën tarifat e tyre më shpejt.

Pavarësisht kësaj, kërkesa për shërbime vazhdoi të rritet dhe firmat rritën numrin e punonjësve, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë. Indeksi i punësimit ra në 54.6 nga niveli më i lartë 11-mujor i prillit prej 55.6.

“Sektori i shërbimeve po mbështetet nga tregu i fortë i punës, rritja e pagave dhe sektori i turizmit, që po lulëzon në të gjithë Europën,” tha Cyrus de la Rubia, drejtues ekonomik në Bankën Tregtare të Hamburgut.

“Rritja e turizmit konfirmohet nga PMI i eksportit të biznesit, i cili përfshin kërkesën e lidhur me turizmin, vlera e të cilit ishte pranë pikut në muajin maj.”

Burimi: Reuters/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë