Financa Personale

Rritet edhe çmimi i byrekut të të varfërve

“Për shkak të rritjes së lëndës së parë jemi detyruar të rrisim çmimet e artikujve”, shkruhej në një letër të afishuar në banakun e një byrektoreje pranë rrugës “Lidhja e Prizrenit”, në të cilën njoftohej se jo vetëm byreku por edhe të gjithë produktet e tjera do të rriteshin me 10 lekë.

Gazetasi.al pyeti pronarët për këtë rritje çmimesh të cilët duke ngritur supet si për të dashur të shfajësoheshin thanë përgjigjien e shumëdëgjuar këto ditë, që shkak është rritja e çmimit të miellit që importohet. 

“Importuesit thonë se çmimi i grurit në tregjet ndërkombëtare është rritur me rreth 130 dollarë për ton brenda një viti. Rritja e çmimit të grurit, sipas tregtarëve, ka ardhur për shkak të rënies të prodhimit nga shtetet si: SHBA-ja, Kanada-ja dhe Rusia. Thatësirat ndikuan si te rënia e prodhimit, ashtu edhe te rendimenti.”-u shpreh i zoti i dyqanit tek mandej vazhdoi të merrte porositë e klientëve që ndryshe nga ditët e tjera dukej se ishin më të ulët në numër, inercisht ose mbase edhe për shkak të rritjes së çmimeve.

Në një vëzhgim nga tregu që Gazetasi.al bëri konstatoi se edhe byrektore të tjera e kishin rritur çmimin e byrekut, përgjithësisht nga 30 lekë në 40 lekë por kishte nga ata që e kishin rritur edhe me 20 lekë.

Kostot e larta të jetesës shoqëruar nga paga dhe pensione të ulëta po bëjnë që qytetarët të ankohen për çmime të larta, gati të papërballueshme, sidomos shtresa e mesme e popullsisë që byrekun në përditshmëri e konsumon më shumë nga halli se sa nga qejfi.

"Nëse një kuintal miell deri dje blihej me 4.200 lekë, sot blihet me 5.200 lekë, çka tregon se është bërë një rritje prej 1 mijë lekësh, gjë që pritet të kompensohet pikërisht me shtimin e çmimit të shitjes në çdo produkt buke. Dhe ne jemi të detyruar, nuk kemi zgjidhje tjetër.

E dimë që kjo rëndon mbi konsumatorin, e di që barra bie mbi ta por kështu është bërë kjo situatë."-tha Mimoza që prej disa vitesh shet vetëm byrek në mes të rrugës së Elbasanit, tek "Byrektore Tradicionale",në një kioskë të vogël.

Kur e pyetëm nëse klientët ishin ankuar, e pohoi natyrshëm dhe na tha që nga të gjithë ata që kishin ikur për të blerë vaktin e përditshëm, të gjithë ishin habitur dhe kishin bërë një koment negativ,ca duke qarë gjendjen e tyre, ca duke i vënë fajin shtetit e ca të tjerë vetëm duke psherëtirë.

Ajo shtoi se që tani po vihej re që po blinin më pak klientë, shkonin për të blerë dhe më pas iknin duarbosh, mbase si formë revolte, mbase sepse nuk donin ta blinin aq shtrenjtë.

"Mirë bukën po tani edhe byrekun, do përfundojmë duke mos ngrënë fare me këto ritme. Ne mirë që kemi këto byrekë dhe e mbulojmë drekën me pak shpenzime se për 10 mijë lekë të vjetra që paguhem unë në ditë, një mijë lekë tani do më ikin vetëm për byrekë me gjizë”-tha Altini, një punëtor i cili punonte në ndërtim dhe po blinte aty nga ora 16:05 pasdite drekën edhe për dy punëtorë të tjerë që e prisnin jashtë.

"Byreku është ushqimi më i lirë që mund të marrim sa për të përballuar disi vaktin e drekës. Çdo ushqim po shtrenjtohet. Ne nuk po përballojmë dot asgjë me aq rrogë sa kemi ndërsa shteti si gjithmonë vazhdon të jetë me pushime", shtoi sërish ai mandej i indinjuar, me gjithë lodhjen e ditës që i rëndonte mbi supe e i reflektohej herë-herë në fytyrë.

Altini ishte pjesë e puëtorëve që e paguante vetë drekën dhe nuk ia mbulonte shefi, dhe si ai ishin dhe shumë të tjerë për të cilët edhe ushqimi më i lirë, tani nuk ishte më i lirë.

"Po shteti është zero për çdo gjë. Po ku kemi shtet ne? Më thuaj ti çfarë të bëj më parë me një pension unë. Jam e pafuqishme për të gatuar dhe ndonjëherë kur nuk më gatuan vajza zbres të blej byrekë këtu tek lagjia për drekë.

Nga 30 lekë në 50 lekë, tani nga 3 që mund të merrja, duhet të blej dy. Po na rrisni edhe pensionet pra, shtrenjtë buka, shtrenjtë mielli.”-u drejtua një e moshuar teksa po dëgjonte bisedën me Altinin, pak e nxitur nga diskutimi, duke “marrë zemër” edhe nga ankesa e tij.

Në të gjithë këtë situatë disa minutëshe Mimoza, shitësja, vetëm pohonte me kokë sepse edhe ajo si qytetare u shpreh se e kuptonte hallin e tyre.

Shqiptarët, ndër popujt më të varfër në Rajon dhe Europë po paguajnë përherë më shtrenjtë për ato çka konsumojnë, edhe për produktet më bazike.

Në vetëm një vëzhgim të shkurtër vihej re se e njëjta situatë gati përsëritej edhe në “Rrugën e Burgut”, pranë “Stacionit të Trenit” apo pranë zonës së spitalit “Amerikan 2”, ku shitësit pohonin se rënia e konsumit ishte ndjerë menjëherë.

Shitës që pohonin rritjen e çmimit dhe qytetarë që ankoheshin, herë dhe me heshtje, herë me indinjatë.

"Kjo situatë ende nuk është uniformë për të gjithë byrektoret. Unë dje bleva tek rruga Kavajës sepse aty kam shtëpinë dhe çmimi ishte i njëjtë ndërsa këtu tek Stacioni i Trenit që ndalova sot me shoqet i paskan rritur çmimet. Por mesa shoh, të gjithë do i rrisin meqë është rritur edhe çmimi i bukës.”-tha për Gazetasi.al Ani Doda, një studente që priste të niste vitin e parë të shkollës së lartë.

Në grupin e shoqeve të saj kishte dhe nga ata që nuk u bënte përshtypje kjo situatë. Njëra prej tyre tha që 20 lekë më shumë nuk i dukeshin ndonjë diferencë e madhe teksa shtoi se ajo pak herë blinte byrek.

"Byreku është i mërzitshëm. Për aq pak herë sa e blej, nuk më bën asnjë lloj përshtypje"-u shpreh me një arrogancë të dukshme tek përpiqej të vërtetonte me telefonin e fundit dhe rrobat e saj të shtrenjta që i përkiste shtresës me ekonomi të mirë, për të cilën disa qindarka më shumë, apo më pak, nuk kishin asnjë lloj peshe.

Por megjithatë, një reagim i vakët që u shkaktua në rrjete sociale nga rritja e çmimit të bukës, tani duket se po bëhet më i gjallë ndër qytetarë, aty, nëpër kioskat e vogla të byrektoreve,tek konsumi është më i heshtur, e revolta më e ndezur…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë