Dosje

Rreth 5 vite më parë, kur një nënë e re në Tiranë vdiq nga zjarri në ashensor, nuk u gjet asnjë fajtor

Rënia e ashensorit pak pas mesnatës së të dielës në “Astir”, ku mbetën të plagosura dy gra, ka rikthyer në vëmendje tragjedinë e ndodhur në 20 janar të vitit 2017 në një pallat në Tiranë në zonën e “Freskut”.

Në atë ngjarje, humbi jetën 30-vjeçarja Drilona Duriçi, nënë e një fëmije 5 vjeç dhe që ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë.

E reja, e cila po kthehej në shtëpi, pasi kishte dërguar djalin në kopsht, hipi si çdo ditë në ashensor, por pa arritur në katin e tretë. Flakët përfshinë kabinën metalike, ndërsa gruaja humbi jetën në vend.

Por  asnjëherë nuk u mësua se kush ishin përgjegjësit e vërtetë. Prokuroria vendosi ta arkivojë dosjen, duke e cilësuar ngjarjen si aksidentale.

Sipas akteve të ekspertimit të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, dhe të Inspektoriatit të Shërbimit Teknik Industrial, u konstatua se bëhej fjalë për një ngjarje aksidentale dhe se askush, qoftë individ apo shoqëri, nuk mund të bëhej përgjegjës për vdekjen e gruas së re.

Ekspertët i thanë Prokurorisë se ashensori ishte jashtë çdo kushti teknik dhe se pallati nuk kishte administrator, që të kujdesej për shërbimet.

Nga hetimet dhe pyetja e dëshmitarëve, ka rezultuar që prej rreth 4 muajsh, nuk ishte kryer asnjë kontroll. Personi përgjegjës që merrej me mirëmbajtjen e ashensorit kishte hequr dorë nga kjo punë, se banorët nuk e paguanin.

Gjithashtu, u vërtetua se zjarri nuk u shkaktua nga ndonjë faktor i jashtëm, por si pasojë e djegies së droselit të ashensorit, me flakët që u përhapën kudo.

Amortizimi, mungesa e mirëmbajtjes, por edhe cilësia e dobët e ashensorit dhe instalimeve në të, duket se ka sjellë zjarrin që i mori jetën 30­vjeçares.

Rreth tre muaj pas tragjedisë, prokurorët vendosën të mos fillojnë procedim penal, pasi nuk kishte persona të dyshuar që mund të hetoheshin pa një akuzë konkrete.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë