Motosport

Rregullat e reja në F1, jo më shumë se 80 persona për çdo skuadër

Po merr formë gradualisht organizimi i garave të Formula 1, që pritet të nisin më 5 korrik. Distancimi është një nga elementët kryesorë që duhen garantuar, ndërsa personeli i çdo skuadre do të kufizohet maksimalisht.

Do të klasifikohen si “evente të mbyllura” edhe garat e Formulës 1, me maksimumi 80 persona të angazhuar për çdo skuderi. Gara e parë pritet të zhvillohet në Austri më 5 korrik. Ndryshimi i parë në organizimin e garave është distancimi i personelit në bokse si një masë kryesore në luftën kundër koronavirusit. Është parashikuar që çdo skuadër të mos ketë më shumë se 80 persona në cirkuit nga fillimi deri në fund të garës. Udhëzimi është dhënë nga Gerard Saillnt, kryetari i komisionit mjekësor të FIA-s.

Nga këta 80 persona, jo më shumë se 60 mund të jenë të përfshirë në administrimin e dy makinave të skuadrës. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë pjesëtarët e personelit që merren kryesisht me pritjen, sponsorët, marketingun, marrëdhëniet publike, sigurinë dhe transportin. “Liberty Media”, që organizon garat, po bën gati listën e provave që duhet të kalojë Formula 1 në Austri javën e parë të korrikut.

Garat e para janë parashikuar të zhvillohen me dyer të mbyllura. Nëse situata globale përmirësohet, “Liberty Media” shpreson që mund të organizojë gara me dyer të hapura për publikun në fund të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë