Njerez

Rrëfimi i ushtarit të forcave speciale amerikane: Afganët në Shqipëri i solli Soros

Afganët në Shqipëri i solli George Soros dhe ai pagoi për strehimin e tyre në resortet shqiptare. Njëri prej protagonistëve të evakuimit, Tim Kennedy, ushtarak amerikan i forcave speciale, që ka shërbyer në Afganistan rrëfen se personalisht ka takuar Alex Soros, djalin e George Soros dhe po personalisht ka shoqëruar deri në Shqipëri me qindra afganë.

“Lamë pas njerëz në afganistan, kemi afganë që i nxorrëm nga afganistani, por i kemi lënë në vende të treta të vogla. Nuk po them që t’i marrim në SHBA, por duhet të bëjmë diçka për ta. Unë personalisht shoqërova disa qindra në Shqipëri. Takova djalin e George Soros dhe ai pagoi që këta njerëz të shkonin në Shqipëri. I çova në Shqipëri. I çuam në një resort të bukur në Shqipëri, pranë detit, që e kishte paguar djali i George Soros”, thotë Kennedy.

Sipas tij janë të paktën 5 mijë afganë që presin vizat speciale që jepen për shtetasit e vendeve që janë në luftë. Një pjesë e tyre janë në Shqipëri, të tjerë janë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Pakistan.

Kennedy druhet se shumë prej tyre nuk do të pajisen me këto viza. “Janë viza speciale për shtetasit e vendeve që janë në luftë. Por, me mbarimin e luftës, edhe këto viza mund të refuzohen”, thotë ai.

Ai foli në podcastin e Joe Rogan Experience në Spotify, duke kujtuar se evakuimi nga Afganistani ishte një rrëmujë e madhe, pa strategji dhe që la pas në mëshirë të talebanëve shumë bashkëpunëtorë të SHBA, duke përçuar një mesazh të keq edhe te aleatët.

“I lamë atje dhe si mund të presim që të bashkëpunojnë sërish me ne ata?! Apo çfarë mesazhi u dërguam aleatëve tanë aktualë dhe pjesës tjetër të botës?! Unë mendoj që Afganistani ishte frymëzimi i Putinit për të ndërhyrë në Ukrainë”, shton ai.

Tim Kennedy

“Amerikanët braktisën bazën e Bagramit natën. Gjenerali afgan që drejtonte këtë bazë u zgjua para një baze ushtarake bosh me talebanët që thjesht hapën derën të qetë dhe morën nën kontroll bazën me strategjike në vend bashkë me armët që u lamë pas”, rrëfen Kennedy.

Afganistani është operacioni i evakuimit më i madh në historinë e SHBA. Por, sipas Kennedy-t ky evakuim u bë sipas kushteve të talebanëve.

“Çdo ekspert ushtarak në planet e di që kush kontrollon perimetrin e jashtëm ka kontrollin e plotë dhe talebanët kontrollonin perimetrin e jashtëm të aeroportit, pra në të vërtetë kontrollonin aeroportin. Ata nuk lejuan shumë njerëz që të largohen. U ndaluan sipas një liste, ku ata që punuan për amerikanët nuk u lejuan”, tregon ushtaraku amerikan.

Ai thotë se në largim e sipër, ushtarët amerikanë shkatërruan avionë, makina dhe logjistikën e tjetër mbështetëse për të mos e lënë atë në duart e talebanëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë