Biznes

Rrëfimi i sipërmarrëses: Shpresë te shteti, por s’rri duarkryq

Sabina Veizaj-Pezana Rexha e ka lënë në pritje biznesin e vetë.

Me energjinë që e karakterizon, kreativitetin dhe dinamikën e punës, nuk e pranon dot fjalën paralizim dhe bllokim, edhe pse prej ngjarjes së tërmetit, punët me biznesin i kanë shkuar për dreq.

Ajo zotëron një biznes të bukur, por jo jetësor. Dhe si shumë biznese të tillë, prej fundnëntorit, kërkesa për mobilje, qoftë cilësore dhe artizanale, po ashtu dhe projektime interior ka rënë afër zeros.

Pezana Rexha, zotëruese e Pana

Pezana, që zotëron sipërmarrjen e prodhimit të mobiljeve dhe produkteve të tjera artizanale për familje e biznese nga druri i vjetër apo edhe paletat, prej një muaji e ka kyçur punishten e saj ku ka edhe zyrën që kryen punët administrative, por është prezent në çdo çast që të japë dorën e fundit si në zmerilim, sharrë, të shohë me sy milimetrat që mund të lëvizin nga  një anë e divanit tek tjetra.

Pra është aktive, jo vetëm si arkitekte profesioniste, projektuese e modeleve të mobiljeve, por edhe në zdrukthari.

“Në fakt periudha e karantinimit tek unë ka kaluar në disa faza. Dy javët e para nuk kam prekur asgjë me dorë dhe e vetmja gjë që ishte për tu kontrolluar e njëkohësisht mund të kontolloja në një situatë si kjo ishte vajza ime. Gjatë dy javëve nuk kam prekur as laps e as letër përveç lapasave dhe letrave të vajzës. Shihja nëpër grupe të ndryshme që të gjithë flisnim për lexime librash apo aktivitete të tjera, por unë nuk arrija të bëja dot asgjë, Të jem e sinqertë nuk kam kaluar, as ankth apo stress përgjatë kësaj periudhe . Unë e quaj me vlerë se më ka shërbyer shumë për të kuptuar veten, të tjerët dhe shumë ndodhi në jetën time personale dhe të punës”- tregon Pezana për gazetën “Si”.

Ajo mendon që një ndalesë e tillë ka qënë gjithnjë e nevojshme për planetin tonë tokë, në duke e konsideruar si diçka që do të na bëjë të kuptojmë rëndësinë e gjërave, jetës, familjes , punës e mbi të gjitha të lërë natyrën të rikuperojë veten e saj.

Por tabloja ndryshon kur e pyes Pezanën për biznesin dhe punonjësit e saj që prej një muaji janë në shtëpi dhe në pamundësi pagese.

Pezana thotë se komunikon rregullisht në telefon me punonjësit e saj.

“Mendoj se janë të trembur nga e ardhmja dhe e panjohura, sepse ajo çka po ndodh realisht është e re për këdo nga ne dhe askush se di e se ka të qartë ecurinë e një zhvillimi të tillë. Mendoj se po e vuajnë dhe psikologjikisht dhe financiarisht këtë moment”- tregon ajo.

Biznesi i saj ka vështirësi të akumuluar. “Që në nëntor kur ndodhi ngjarja e tërmetit, situatat dolën jashtë kontrollit, sidomos në sipërmarrjet e mobilerisë, ku në të vërtetë produkti që ne ofrojmë praktikisht nuk është jetësor. Shumë zëra pagesash filluan të tërhiqeshin zvarrë, duke shpresuar që herët a vonë gjërat do rimëkëmbeshin, por e vërteta siç dhe jemi në dijeni është tërësisht tjetër. Pana nuk ka “dhjamë” për të përballuar asnjë ditë pa punë”- rrëfehet Pezana Rexha.

Ajo thotë se ka vendosur që të mos largojë askënd nga lista e sigurimeve, teksa detyrimet ndaj shtetit bëhen pakicë në pamundësi për ti paguar, duke shpresuar që dikush në rangjet drejtuese shtetërore, do të ndërgjegjësohet e të kuptojë që përkrahja duhet të jetë shumëdimensionale dhe afatgjatë.

Sepse, thotë ajo, nuk flitet vetëm për faktin e të mospunuarit për një muaj, por bëhet fjalë për mungesë kërkese për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike të të gjithë Shqipërisë që nga nëntori i 2019-ës!

Tek e pyes se si e shikon situatën në afatshkurtër dhe afatmesëm pas përfundimit të izolimit, më  tregon se e pyesin shpesh gjatë kësaj kohe kolegë sipërmarrës dhe miq sipërrmarrës nëse i ka ardhur ndonjë ide për ta nxjerrë biznesin e saj nga situata.

“Ta them me sinqeritet të plotë që ajo çfarë po më mëson kjo situatë janë pikërisht të mos paturit e planeve. Unë akoma nuk e kam gjetur “idenë gjeniale” për të nxjerrë Panën nga kjo situatë, por duhet të theksoj që nuk jam e shqetësuar vetëm për Panën, por me mijëra sipërmarrje nuk do tia dalin dot. E nëse s’merren masa, Shqipëria do humbasë edhe ato pak asete që i kanë ngelur”-thotë e bindur Rexha,

Por, ndërkohë edhe pse në karantinë, me energjinë që e karakterizon, ajo nuk mund të qendronte gjatë duke bërë asgjë.

Pana është një biznes social. 7 vite më parë, kur u themelua, nisi si një projekt inovator dhe kapitali fillestar u investua përmes një projekti të fituar nga Pezana Rexha për ide novatore në biznes.

Pezana i ka shumë për zemër çështjet sociale dhe tu japë mundësi e të kontribuojë për grupet vulnerabël.

Në këto ditë izolimi në profilin e kompanisë në Instagram, ajo ka çelur dy iniciativa; thirrjen për prodhimin e kukullave të leckave nga individë që si ajo po e kalojnë kohën në shtëpi të izoluar dhe të gjitha kukullat në fund të izolimit do të mblidhen dhe do ti shkojnë “Shtëpisë së fëmijës”. Dhe iniciativa e dytë është bisedë e drejtpërdrejtë me sipërmarrës të ndryshëm, kolegë të sektorit të saj për të diskutuar çdo mbrëmje gjysmë orë drejtpërdrejt në Instagram për çështje të lidhura me biznesin dhe jo vetëm.

“Javën e tretë të karantinës në darkë, më erdhën dy ide. Së pari të shtyja njerëz të krijonin kukulla prej lecke (iniciativa gjendet lehtësisht në Instagram #dhurokukull ose #dhuronjekukull) për fëmijët jetim. Ndërsa emisioni erdhi për dy arsye, së pari nevoja ime personale për tu ndjerë e dobishme dhe e rrethuar nga njerëz të mrekullueshëm dhe së dyti për të treguar që Shqipëria ka asete të mrekullueshme dhe jeta jonë nuk është vetëm ajo që shihet në televizione, përkundrazi jemi të rrethuar nga thesare, shumë syresh të pazbuluara. Ndjeja nevojën për të dhënë një kontribut sado modest”- tregon Pezana. 

Teksa iniciativa për krijimin e kukullave po ecën mrekullisht mirë, prindër dhe fëmijë janë bërë bashkë në garë për të krijuar kukulla me lecka, jo si ato që ne krijonim dikur nga mospasja, por si ato që me një instruksion në youtube janë gati edhe për t’u shitur ?.

Kurse biseda mes sipërmarrësish ka bërë bashkë prej disa mbrëmjesh individë që Pezanën e frymëzojnë dhe e kanë frymëzuar gjatë rrugëtimit të saj.

Pezana Rexha

“Zgjedh individë që dashurojnë; që dashurojnë natyrën, punën, njerzit, kafshët. Për mua misioni kryesor është të përhapim pasion dhe shpresë, sidomos në momente si këto që po kalojmë. Jam nisur nga puna dhe profesioni im duke ftuar arkitektë të tjerë, dizenjatorë, artizanë, sipërmarrës në fushën e mobilerisë dhe gama e tyre po shtohet por janë të gjithë individë me shpirt e zemër shumë të madhe që e duan shumë vendin tonë”- thotë Pezana.

Në takimin e mbrëmshëm që unë e ndoqa, ajo kishte të ftuar babë e bijë, Maks dhe Silvestra Gjeçi, sipërmarrës për më shumë se dy dekada në fushën e mobilerisë.

Mark dhe Silvestra Gjeci

“Jemi shumë në vështirëse që nga nëntori pasi ra tërmeti, përpos problemeve të vazhdueshme. Mobiljet nuk janë bukë që hahen, kështu që njerëzit nuk porosisin në kohë krize. Por ne kemi një jetë me punonjësit. Ata janë familje e ne nuk i hedhim në rrugë. Do bëjmë si t’ia bëjmë”- iu përgjigj pyetjes sime z. Gjeçi në takim me Panën në Instagram.

 Ashtu si me babë e bijë, Pezana e Panës tregon se përpiqet që bisedat të jenë miqësore, ashtu si do të ishin nëse do ti kishte përballë të ftuarit.

“Flasim për të qëndruarit në shtëpi, sipërmarrjet e tyre, momentin aktual dhe pritshmëritë për të ardhmen. Shpesh kemi folur dhe për dashurinë, për mardhënien midis sipërmarrësve dhe shumë detaje të punës dhe profesioneve. Bisedat janë shumë dimensionale duke bërë të mundur që kushdo që na dëgjon të mësojë diçka dhe të kuptojë dhe më shumë anën tjetër, pra sipërmarrësit”- tregon Pezana.

Tek e pyes se si po e perceptojnë krizën sipërmarrësit që ajo ka ftuar në bisedë, më thotë se njerzit me pasion dhe të punës gjithnjë vazhdojnë të besojnë dhe mendojnë që më e mira do bëhet dhe që të gjithë sëbashku do e gjejnë nga një zgjidhje.

Zgjidhje që, thotë Pezana, asnjëri nga ne se ka gjetur akoma.

 “Mendoj se s’ka oportunitete në llojet e sipërmarrjeve tona, por jam e sigurt që në takimet e tjera Me Panën, kam ftuar dhe sipërmarrës që profesioni dhe lloji i punës ua lejon të gjejnë në mes të gjithë kësaj oportunitetin”- thotë ajo.

Përpos asaj që Pezana është nga ata njerëz që beson në mrekulli, aktualiteti të ofron një tablo të kundërt dhe tanimë kërkon një zgjidhje sepse duhet të paguajë detyrimet ndaj shtetit, qiranë e punishtes dhe zyrës, dritat, ujin, punonjësit mbi të gjitha dhe siç tha vetë “nuk kam dhjam” për ta bërë këtë.

 “Sipërmarrjet i paguajnë taksat dhe tatimet për një ditë si kjo, ka vetëm një vend nga ku duhet të vijë ndihma. Shteti ynë nuk i sheh sipërmarrjet si asete. E për sa kohë të jetë ky mentalitet, rezultatet nuk do të jenë të kënaqshme. Shteti im është i vetmi vend ku unë pres zgjidhje”- përfundon bisedën Pezana.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë