Lajme

Rrëfimi i fotografes iraniane: Si film horror. Covid-19 e ka detyruar Iranin të ndalojë

Pyetja më e madhe e këtyre ditëve: Ç'do të thotë të mbulosh Covid-19 brenda një Irani të goditur rëndë?

TEHRAN- Newsha Tavakolian - Shkon për të bërë fotografi të krizës së koronavirusit në Teheran. Në Iran jemi mësuar me kriza dhe përshtatemi shpejt me realitetet e reja. Vura doreza latex, një maskë mbi fytyrë dhe mora një dezinfektant me vete.

Normaliteti i ri. Rrugët që normalisht do të ishin plot me njerëzit dhe makina, janë të shkreta. Mundohem të marr frymë përmes maskës time. Është mbytëse. Ndihem sikur kam hyrë në të ardhmen time distopike.

Viti i Ri iranian festohet në ditën e parë të pranverës në të gjithë vendin. Normalisht, stilistja 33 vjeçare , Ida Afshar shet jprodhimet e saj; pallto dhe triko për këtë ngjarje. Këtë vit, për shkak të frikës përreth COVID-19, ajo shiti shumë pak.

E tërheq maskën poshtë. Një fllad i ëmbël pranveror nderet në ajër. Këtu, kjo do të thotë se Viti i Ri iranian ka trokitur. Për mijëvjeçarë, para Islamit dhe feve të tjera, iranianët do të fillonin vitin e tyre duke festuar ciklin e përjetshëm të fitores së dritës mbi errësirën. Në ditën e parë të pranverës, familjet, miqtë dhe të dashurit mblidhen për të uruar një Vit të Ri të shëndetshëm.

NewshaTavakolian fotografe iraniane

Por këtë vit na është thënë nga  autoritetet që të qëndrojmë në shtëpi. Ata keqmenaxhuan krizën dhe tani, në rastin më të mirë, po përpiqen ta mbajnë në kontroll në këtë fazë që jemi. Irani është një nga vendet më të goditura. Ne nuk e dimë se si do të përfundojë dhe jemi të shqetësuar.

Një nga xhaxhallarët e mi të preferuar, një gjigant; i gjatë dhe i butë, është duke luftuar me koronavirusin. Në shtëpi. Të gjitha spitalet janë aq të mbushura sa kanë vendosur shtretër në parkingje dhe stadiume. "Qëndroni në shtëpi, mos lëvizni, mbase ju do të jetoni", i thanë mjekët të mbingarkuar. Ata i dhanë disa pilula. Shpresojmë që ai të jetojë.

Frika është kudo. Frika nga vdekja, frika nga e ardhmja. Frika nga një vit i tmerrshëm përpara.

Viti që shkoi,për mua edhe ai qe i tmerrshëm. Ashtu si tani me koronavirus, jeta më detyroi të ndaloja dhe të lija gjithçka. Ndodhi në mënyrën që nuk mund ta imagjinoja kurrë.

Unë kam qenë një nga ato fotografe që është gjithmonë në detyrë diku rreth globit, për 23 vjet, duke kapur vuajtjet e të tjerëve dhe duke u përpjekur të krijoj vetëdije. Por kishte parashikueshmëri në kaosin tim: Unë gjithmonë vrapoja pas afateve, duke harruar veten dhe ata që ishin afër meje.

Jeta mund të të godasë fort në fytyrë…

Unë isha duke darkuar në Amsterdam, kur im shoq më telefonoi nga Irani për të më thënë se babai im i ëmbël 64-vjeçar, Behrooz, sapo kishte vdekur nga një sulm në zemër para syve të tij. Disa ditë pas funeralit, në një ngjarje krejtësisht të palidhur, autoritetet iraniane të shtypit revokuan lejen time të punës pa asnjë arsye, duke më ndaluar të bëja fotografi në Iran.

U detyrova të bëja një pauzë të vështirë. Të mirë. Sepse do të vinin më shumë ngjarje.

Dy muaj më vonë zonja që kujdesej për shtëpinë tonë vdiq pasi u godit nga një makinë para ndërtesës tonë. Asnjë ambulancë nuk u shfaq dhe ne duhej ta mbështillnim atë në një batanije për ta larguar trupin e saj nga rruga. Vëllai im u diagnostikua me kancer limfoide dhe duhej të trajtohej me kimioterapi.

U tërhoqa në banesën tonë. Në ditët e sotme ne e quajmë atë "karantinë", por për mua ishte një depresion i vjetër. Aparatët e mi fotografikë janë mbytur në pluhur. Për herë të pare në jetë që kur kam qenë 16 vjeç, nuk po bëj fotografi. Nuk doja të flisja, u përpoqa të mos mendoja.

Dhimbja më detyroi të përballoja problemet e mia. Unë isha një njeri i dashuruar çmendurisht me punën, e sëmurë pas saj, gjithmonë ndjehesha fajtore kur i kushtoja kohë dashurisë për njerëzit e afërt ose vetes time. Kjo ndalesë emergjente theu ciklin tim të pafund të detyrave dhe udhëtimeve. Koha që më dha më bëri të shoh detajet e bukura, të vogla të jetës. Nga pemët e lulëzuara deri në shkëndijën në sytë e burrit tim, ngadalësimi rindez shqisat.

Statusi, fama dhe, mbi të gjitha, rritja monetare - qëllimet që kisha menduar prej kohësh ishin koncepte të qarta - janë bërë abstrakte dhe të parëndësishme tashmë. Pushimi im i vështirë më ka bërë të ndjehem më e lirë dhe më e lumtur se kurrë.

Babai im vdiq saktësisht një vit më parë. Familja jonë kishte planifikuar një ceremoni të madhe përkujtimore, kishte ftuar mysafirë, porositur ushqim. Por duhej të anulonim gjithçka. Ishte shumë e trishtueshme, por çfarë tjetër mund të bënim? Vendosëm të shkonim në varrezat Behest-e Zahra të Teheranit. Është një varrezë masive dhe zakonisht shumë e mbushur me njerëz. Iranianët pëlqejnë të vizitojnë të dashurit e tyre dhe veçanërisht e bëjnë këtë në javët në prag të Vitit të Ri. Por kur shkuam, ishte bosh. Askush nuk ishte aty. Ishte pothuajse si një film horror.

Virusi gjithashtu të jep shumë stres. Motra ime doli për të blerë lule për në varreza, dhe ne e qortuam sepse nuk kishte mbathur doreza. Koronavirus është aq ngjitës saqë duhet të jeni të kujdesshëm dhe vigjilent gjatë gjithë kohës. Unë u përpoqa të mendoja për babanë tim, por kishte kaq shumë shpërqendrime.

Më në fund tre muaj më parë më dhanë lejen që mund të punoj përsëri në Iran. Eci nëpër rrugët e Teheranit me ndjenja të përziera. Kam frikë nga ajo që do të sjellë e ardhmja, nga të dashurit që vdesin, apo edhe nga vetja ime që mund të jem në rrezik. Por ndiej ngushëllim që kjo është një ndalesë kolektive dhe globale për gjithçka. Ne po përballemi me këtë telash të gjithë së bashku, askush nuk është i vetëm në shtëpinë e tij, sepse të gjithë jemi. Presioni çon në unitet.

Telefoni i nënës sime tringëlliu një ditë më parë. Ishte një zonjë që kishte thirrur numrin e gabuar. Ato folën për një orë, duke zbuluar se të dy burrat e tyre kishin vdekur gjatë vitit të kaluar. Prindërit e mi, Jila dhe Behrooz, ishin të martuar prej46 vjetësh. Nëna ime nisi të qeshte. "Ndihem mirë," tha ajo. Më bëri të ndihem mirë gjithashtu.

Në të njëjtën kohë, populli iranian është mposhtur nga sanksionet, papunësia dhe kërcënimi i luftës. Disa nuk e marrin seriozisht koronavirusin dhe vazhdojnë të mblidhen dhe të udhëtojnë. Një katastrofë mund të jetë duke ndodhur. Gëzuar Vitin e Ri dhe një pranverë të lumtur për të gjithë, kudo. Le të lulëzojmë si një civilizim. /NationalGeographic


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë