Lojëra me Dore

Rrëfimi i Elektra Zykajt, nga hallet e Tiranës te kombëtarja jetime e basketbollit

Elektra Zykaj në 8 vitet e fundit është njëra prej basketbollisteve më të mira shqiptare. Tituj kampion, Kupa dhe vlerësime individuale pa fund e kanë bërë 29-vjeçaren një emblemë të basketbollit shqiptar në këto vite. Në një intervistë për Gazeta Si, Elektra ka folur për karrierën e saj, duke filluar nga hapat e parë te Tirana, lavdia te skuadra e origjinës, Flamurtari, rikthimi ‘në shtëpi’ te Tirana dhe dështimet e kombëtares.

Vendimtare në karrierën e Elektrës ka qenë trajneri i saj i parë, Arben Alimehmeti. Ishte ai njeriu që pa tek ajo talentin dhe të dhënat e një basketbollisteje që më pas do të dominonte këtë sport për gati një dekadë.  “Këtë sport e kam nisur në shkollën sportive, “Avni Rustemi” me trajnerin me emër që ka nxjerrë shumë sportistë të njohur, Arben Alimehmeti, i cili është marrë me talente, të cilët i spikat dhe më pas i shpërndan nëpër ekipe. Unë vija nga ajo shkollë dhe ai pak tek unë që kisha talent dhe të dhëna për basketboll, ia tha këtë gjë dhe prindërit, insistoi tek unë deri sa më futi me të rejat e Tiranës. Më pas kam filluar me ekipet zinxhir të Tiranës që në moshën 13-vjeçare. Aty kam qenë me profesorin Arben Petrela. Kam bërë një vit me ekipin e të reja, kemi dalë kampion më pas kam shkuar me ekipin e të rriturave. Vetëm 15 vjeç fillova stërvitjen me ekipin e parë, ku në atë periudhë u bë trajnere Edra Alibegaj. Mund të them që në ato vite kam pasur një periudhë shumë të mirë, ku stërviteshim paradite dhe pasdite, ka qenë një periudhë shumë intensive, pasi aty fillojnë hapat e para që formohesh si basketbolliste.”

Hapat e parë me Tiranën, ajo i kujton si më të paharrueshmet, ku që në adoleshencë u spikat dhe filloi të luante me ekipin e parë të Tiranës, ku do të tërhiqte vëmendjen dhe do të bëhej pjesë edhe e ekipit kombëtar. “Kur shkova te Tirana dhe u bëra pjesë e ekipit të parë e kisha ndarë mendjen se çfarë do bëhesha në jetë. Shkoja me qejf në stërvitje dhe shikoja që sportistet më të mëdha merreshin me mua dhe më mësonin. Dhe aty kuptova që unë paskam diçka të veçantë.  Por edhe afeksioni që merrja nga publiku. Më pas filloi edhe aktivizimi im në moshën 18 vjeç në formacionin titullar. Deri në moshën 20-vjeçare kam qenë pjesë stabël e formacionit, me gjithë problemet e mëdha që ka pasur Tirana në atë kohë.”

“Gjaku im është bardheblu...” thotë Elektra Zykaj në rrëfimin e saj për Gazeta Si, por pjesën më të lavdishme dhe më me shumë tituj nuk e ka me Tiranën. Ishte Flamurtari, ekipi i qytetit të saj të origjinës, aty ku ajo kaloi pjesën më të madhe dhe më të lavdishme të karrierës së saj. Në 6 vite et Flamurtari, Elektra arriti të fitonte 5 herë kampionatin dhe shumë Kupa dhe Superkupa.

“Më pas ndryshova fanellë, ika në Vlorë. Nuk mund ta quaj tradhti, pasi kam ikur me mirëkuptim. Trajneri i Flamurtarit më kërkonte dhe kishte insistuar vazhdimisht që kur unë kam qenë me ekipin e të rejave që 16 vjeç. Që kur unë isha në ekipin kombëtar dhe isha më e vogla e ekipit, ku të gjitha shoqet e mia ishin më të mëdha se unë dhe që nga ai vit, ai më donte. Ai e dinte dhe origjinën time vlonjate dhe më donte në ekip. Kur isha 21 vjeç unë dëshirova që të ikja nga Tirana, pasi situata nuk ishte shumë pozitive, por edhe për të provuar vetën time jashtë ekipit ku u rrita. Doja të dilja nga flluska dhe të provoja veten në një ekip kampion dhe në 6 vite te Flamurtari kam fituar shumë. Ndejta 6 vite aty, duke fituar 5 kampionate dhe shumë kupa, që tani nuk i mbaj mend të gjitha. Por mbi të gjitha u rrita si njeri dhe si sportiste. Jam vlerësuar shumë si për nga çmimet individuale që kam marrë, por edhe dashuria që publiku vlonjat më dhuroi. Kam shumë kujtime të mira nga Flamurtari.”

Por pasi fitoi gjithçka në Vlorë, ajo kishte kuptuar se duhej të rikthehej ‘në shtëpi’. Te Tirana e rikthyer Elektra Zykaj gjëti disa gjëra më mirë seç i kishte lënë, por sërish jo ashtu siç do duhej të ishin. “Më pas unë vendosa të rikthehem në shtëpinë time, në Tiranë. Doja gjithë eksperiencën që mora në Vlorë, doja ta jepja te Tirana. Unë edhe pse jam me origjinë vlonjate dhe jam lindur atje, mund të them që gjakun e kam bardheblu, se këtu u rrita dhe fanella e Tiranës më ka dhënë shumë, që në moshë të vogël. Kishte edhe nga ata që më quanin vlonjate, por unë ndjehem më shumë nga Tirana dhe vendosa të kthehem. Kur erdha, Tiranën e gjeta me pak probleme seç e kisha lënë para 6 vitesh. Viti i parë ishte pak i vështirë. U nisa më idenë që gjërat mund të shkonin shumë mirë, por nuk shkuan ashtu. Personalisht nuk ishte viti që unë prisja.”

Viti i parë në rikthim me fanellën ishte jo pak i lehtë për 29-vjeçaren. Përplasjet me trajnerin Avrami, problemet me organizmin e ekipit dhe një sërë hallesh të tjera me Tiranën, bën që titulli kampion të shkonte sërish në Vlorë. Finalja e madhe e kampionatit ishte dhe momenti vendimtar që solli fenomenin e “dy tiranave”. Për herë të parë në kampionatin kombëtar të basketbollit morën pjesë në dy ekipe me emrin Tirana. Të dyja me ngjyrat bardheblu, por Elektra tregon se Tirana e vërtetë ishte ekipi i saj. “Nuk mu respektuan pritshmëritë që unë kisha kur erdha, edhe pse trajneri insistoi që unë të vija këtu. Unë me dëshirën më të madhe, thashë që, ok po vij, por konfliktet apo përplasjet me trajnerin ishin të vazhdueshme. Për shkak të kësaj situate, unë nuk luajta shumë, por unë në ato momente gjeta një tjetër rrugë, që mos të flisja, deri sa në fund të kampionatit ne fituam dy kupa. Në fund ndodhi ajo që ndodhi dhe ne humbëm dhe normalisht kur humbet, nuk mund t’ia hedhësh fajin lojtareve që ti more dhe ato nuk dhanë atë që pritej, do të thotë që ti gabove. Kështu nisi dhe konflikti që ne patëm. Ne shprehëm dëshirën që në klub të kishte lojtarë të mira. Ne ngritëm zërin te shefi i klub, në fillim ai na mbështeti, më pas u bë kthesa deri sa shkoi në ndarjen e ‘dy Tiranave’. Por edhe pas ndarjeve, unë bashkë më vajzat vazhduam ta përfaqësojmë shoqatën që gjithmonë ka pasur Tirana në basketboll, pra SH.K.B Tirana dhe në deri në fund që këtë vulë ta mbanim ne, pasi kjo është shoqata që ka përfaqësuar ngjyrat bardheblu. Por pasi kaluan disa javë u shfaq një tjetër Tiranë me një shoqatë që ekzistonte, por me shumë pikëpyetje lidhur me formimin dhe organizimin apo edhe me licencimin.

Në çështjen e krijimit të ekipit tjetër të Tiranës në një mënyrë shumë të dyshimtë, Elektra Zykaj nuk i kursen edhe kritikat. Ajo hedh dyshime që në këtë çështje kanë pasur ndikim njerëz me peshë, të cilët kanë ndihmuar në kalimin e shumë etapave për këtë ekip që u ngrit rishtas në verën e vitit 2018. “Janë gjëra që vetëm ata që i kanë bërë i dinë. U gjend një shoqate, e cila u rishfaq, janë vendime që i mori Federata. Me mbështetjen e disa personave me peshë u bën ato që u bën, pasi është e pamundur që një ekipi i ardhur nga hiçi dhe të futet direkt në kategorinë e parë. Janë disa pikëpyetje të mëdha. Kanë pasur krahët e ngrohta nga dikush që është i fortë në këtë muhabet.  Dhe qëlloi që ndeshja e parë e kampionatit të ishte sfida mes dy Tiranave. Unë isha ajo tërhoqa goglat në fillim kur u nda shorti dhe kisha një dëshirë shumë të madhe që në përballje e parë të ndodhte që në fillim, për të treguar se kush jemi dhe kush kjo Tirana tjetër që u krijua nga hiçi. Me shumë mundim arritën ta formonim ekipi. Në fillim ishim vetëm 8 vajza”

Kur flet për kombëtaren e basketbollit, Elektra Zykaj është akoma dhe më e ashpër në fjalët e saj. Mungesë organizimi dhe e lënë pas dorë janë dy fjalët kryesore që ajo përdor kur përshkruan gjendjen e ekipit kombëtar në basketbollin e femrave. Ideja është që aty çalon çdo gjë që te organizimi, te grumbullimi i lojtareve, te përzgjedhja, te investimi i lojtareve. Unë parashikoj që për brezat e ardhshëm do të jetë shumë e vështirë. Kombëtarja jonë ka zgjedhur që të mbajë një moshë të vogël nën 30 vjeç. Mua më duket pak e çuditshme dhe nuk e di pse e kanë bërë këtë zgjedhje, pasi ne kur kemi luajtur, jemi ndeshur edhe me lojtare nga 38 apo 40 vjeç dhe në gjendje shumë të mirë. Të gjithë të rinjtë shqiptar që luajnë jashtë vendit nuk vijnë në kombëtare. Nuk vijnë, se më thuaj mua ti, pse duhet të vij? Përveçse se të veshësh atë fanellën kuqezi çfarë favoresh ka? Asgjë! Duke filluar që nga bileta e avionit apo edhe trajtimi, asgjë nuk ka. Ekipi ynë kombëtar është i lënë jetim dhe është thjesht sa për t’u përfaqësuar. Me pak organizim më të mirë ne kemi mundësinë që të kemi përfaqësime shumë më dinjitoze dhe jo të turpërohemi siç ka ndodhur më herët.”

Në fund Elektra Zykaj tregon edhe për pengun më të madh të karrierës së saj, që nuk mundi të luaj jashtë vendit. Arsyeja ka qenë gjithmonë familja e saj dhe thotë se edhe tani që i ka ardhur një ofertë nga Qipro ka dyshime nëse duhet ta pranoj. “Oferta e parë që kam pasur për të luajtur në një ekip jashtë, ka qenë kur isha 17 vjeç. Në atë moshë unë nuk ika se kisha disa obligime të miat dhe vendosja të mos ikja. Tani kur ka kaluar kaq shumë kohë jam penduar që nuk kam shkuar. Më pas kur isha më e pjekur, 23 vjeç kam pasur ofertë nga një ekip rumun, më pas nga një ekip gjerman. Por nuk kam ikur asnjëherë për një arsye të vetme, që ka qenë familja. Kanë qenë prindërit e mi që nuk mund të rrinin pa mua. Madje kur mendova që të iki, pash prindërit e mi të përlotur dhe vendosa të rrija.  Tani për momentin që flasim më ka ardhur një ofertë nga një ekip qipriot që luan në Superligën greke. Është një ekip i ri i formuar vetëm në 3 vitet e fundit dhe sapo ka siguruar ngjitjen në ligën e parë, aty ku luajnë ekipe të mëdha të Europës, si Panathinaikos, Olimpiakos e të tjera skuadra të mëdha dhe me lojtare shumë të mira,  Ende nuk e kam vendosur se çfarë do të bëj. Jam në një dilemë shumë të madhe për shkak të disa arsyeve sërish jashtë sportit. Do duhet të sistemoj disa gjëra në jetën time. Për momentin unë kam disa ndryshime në jetën time, por nuk kam vendosur asgjë ende, kam lënë çdo gjë hapur.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë