Futboll

Rrëfehet Maldini: Ai shtrëngim në gjoks, futbolli duhej ndalur më parë

E keqja ka kaluar. E pohon vetë Paolo Maldini nëpërmjet Instagramit, ku i falënderon të gjithë për mbështetjen. Ish-mbrojtësi dhe drejtuesi i Milanit, bashkë me djalin Daniel, u infektuan nga Koronavirusi, një “bishë e egër” që nuk mund ta kishim imagjinuar.

“Jam mirë, - thotë Paolo Maldini për “Corriere della Sera” -. E keqja kaloi, kam vetëm pak kollë të thatë, më ka humbur shija, por shpresoj të kthehet shpejt. Ishte diçka më e shëmtuar dhe më e keqe se gripi. E njoh trupin tim, një sportist e njeh mirë veten. Dhimbja është vërtet e madhe. Ndjen një shtrëngim të fortë në kraharor. Është një virus i ri dhe trupi lufton ndaj një armiku që nuk e njeh".

Ditët më të vështira për të kanë kaluar, por Paolo tregon për një sëmundje që të bën shumë keq. "Simptomat e para i vura re të enjten e 5 marsit, kur kisha dhimbje muskujsh. Temperaturë nuk kam pasur kurrë më shumë se 38 e gjysmë. Të nesërmen duhej të shkoja në Milanelo, por qëndrova në shtëpi. Nuk e pashë as ndeshjen Milan-Xhenoa, u kurova vetëm me takipirinë. Nuk mora ilaçe të tjera, sepse nuk kam pasur kurrë vështirësi në frymëmarrje."

Paolo dhe Daniel Maldini, pozitivë me Koronavirus. Gazeta Si, 24 mars 2020

Largësia me ekipin ka evituar përhapjen e virusit te Milani. "Nuk i kam parë lojtarët prej 14 ditësh dhe asnjë prej tyre nuk është pozitiv. Ne te Milani jemi shumë të kujdesshëm për shëndetin. Erdhën mjekët me doreza dhe maska të martën e kaluar. Pas dy ditësh doli përgjigja dhe isha pozitiv. E dija që e kisha virusin. Një miku im ka pasur probleme me frymëmarrjen dhe është shtruar në spitalin e Lenjanos, nuk fle dhe ka makthe. Mua më shkoi mirë. Edhe Danieli ka pasur dhimbje dhe temperaturë, por është i ri dhe në familje më duket se është ai që e ka marrë më lehtë. Bashkëshortja dhe Kristiani kanë bërë tamponin dhe kanë dalë negativë, por jemi të sigurt se edhe ata e kanë marrë virusin dhe e kanë kaluar situatën".

"Futbolli duhej të ishte ndalur më parë, - vazhdon Maldini -. Edhe të luajturit me dyer të mbyllura ishte shkelje për tifozët dhe për futbollistët. U luajt me dyer të hapura Liverpul-Atletiko, me 4 mijë tifozë madrilenë në shkallët e stadiumit, kur dihej që Madridi ishte një vatër infeksioni. Ishte një çmenduri. Kur u luajt Atalanta-Valencia alarmi nuk kishte rënë ende, por tani e dimë që ajo mbrëmje është një nga shkaqet e asaj që po ndodh në Bergamo".

Në fund edhe një mendim për kampionatin dhe kalendarin që duhet të shtyhet: "Një finale kampionati duhet të jetë dhe do të jetë. Se kur, nuk mund ta themi tani, nuk duhet të nxitohemi. Nuk kalohet me dy ditë ky virus dhe të gjithë futbollistët duhet të kenë kohën e nevojshme për t’u stërvitur dhe për ta marrë veten plotësisht".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë