Muzike

Rrëfehet Jurgen Pecnikaj: Si e miksoj çiftelinë me hitet botërore

Ndonëse të rinjtë nuk parapëlqejnë të dëgjojnë muzikë me çifteli, i riu nga Tropoja, Jurgen Pecnikaj ka arritur të rrëmbejë zemrat dhe vëmendjen e publikut dhe artistëve me famë botërore, duke e sjellë çiftelinë në një version më bashkëkohor.

Ai njihet për miksimin e hiteve të ndryshme me muzikën e bukur që lëshojnë telat e instrumentit të vjetër shqiptar.

Përpos studimeve 10 vite në liceun artistik për violinë dhe piano, Jurgeni do të zgjidhte pasionin e tij për çiftelinë, një vegël muzikore që të lidh fort me identitetin kombëtar. 

Prej vitesh, ai risjell versionet origjinale të hiteve shqiptare dhe botërore,  duke i miksuar me tingujt e çiftelisë, një pasion i fituar nga babai i tij, Lekë Pecnikaj, i cili gjithashtu këndon në Ansamblin Kombëtar.

Pecnikaj thotë për Gazetën “Si”, se ky rrugëtim i tij nisi me një remix të këngës “Despacito” dhe fakti që pati impakt të madh te publiku e shtyu që ta vazhdonte më tej këtë pasion.

“Gjithçka ka nisur me një remix të ‘Despacito’ me motive Tropoje, i cili u bë shumë viral në Instagram, duke u shpërndarë dhe pëlqyer nga shumë njerëz. Ishte një reagim që nuk e prisja të them të drejtën për shkak se të rinjtë sot nuk para dëgjojnë muzikë me çifteli dhe më pas mendova t’ua sjell në një version tjetër çiftelinë që ata ta pëlqenin atë”, shprehet Pecnikaj për Gazetën “Si”.

I riu i cili po ngjet ngadalë shkallët e suksesit në këtë zhanër muzike, thotë se remixe të tilla janë mirëpritur jo vetëm nga publiku i thjeshtë, por edhe artistë me famë botërore. Pak kohë më parë ishte këngëtarja Bebe Rexha që publikoi gjithashtu një video ku Jurgeni kishte krijuar remix e këngës “Say my name”.

“Jo vetëm publiku i thjeshtë, por edhe artistët tanë  janë impresionuar nga remixet. Remixet janë pëlqyer dhe shpërndarë edhe nga artistë internacionalë si Daddy Yankee, Black Eyed Peas dhe Bebe Rexha”, vijon Pecnikaj, ndërkohë që ndihet entuziast që “çiftelia dëgjohet dhe pëlqehet jashtë trevave shqiptare”.

Ai nuk ka miksuar vetëm muzikë kontemporane, pasi bashkëpunimet e tij shtrihen edhe me artistë të rrymave popullore, ku veçon si bashkëpunimin më të dëgjuar me këngëtarin Irkenc Hykaj.

“Edhe përpara remix kam bërë bashkëpunime me këngëtarë të rrymave popullore. Bashkëpunimi më i dëgjuar deri më tani është me Irkenc Hykaj – “Mezi pres”, e cila ka marrë 20m shikime. Bashkëpunime të tjera kam pasur edhe me reperin Dardan në Gjermani, Dj Gimi O - Të dua pa masë, dhe së fundmi me Olsi Bylykun - Prej Shqipnie”.

I pasionuar dhe tanimë i suksesshëm në këtë lloj zhanri, Jurgeni thotë me bindje se njerëzit po e shohin ndryshe çiftelinë.  

“Impakti është se tani njerëzit po e shohin krejt ndryshe çiftelinë dhe u pëlqen. S’para e kanë parë çiftelinë të ndërthurur në rryma të tjera”, shpjegon ai.

Jurgeni tregon se pasioni i tij vazhdon. Ai është në punë e sipër për bashkëpunime të reja me artistë të tjerë.

“Bashkëpunimi i radhës është me një super artiste, e cila jeton dhe bashkëvepron në Amerikë. Është një emër i ri për publikun, por që shumë shpejt do e shohim ne playlistat e mëdha botërore. Ajo është Mimoza dhe po sjellin një version Akustik dhe këngës së saj Young Queen”, vijon ai më tej për Gazetën “Si”.

Duke u kthyer pas në kohë, ai do të kujtojë që nuk ka qenë i vetëm në këtë zhanër. “Në fillimet e mia kam parë që nuk isha i vetëm. Jam inspiruar nga disa djem që jetojnë në Amerikë, Kreshnik Ahmetaj dhe Liridon Ulaj, të cilët gjithashtu kanë bërë disa remixe interesante”.

Edhe pse jeton jashtë, Jurgen Pecnikaj është një tipik shqiptar, i dhënë pas vendlindjes, të bukurës dhe traditës. Ai vazhdon të ketë dëshirën e mirë për t’i argëtuar shqiptarët me artin e tij kudo që ndodhen.

“Momentalisht punoj dhe jetoj në Gjermani. Nuk është se më pengon shumë distanca sepse 2 orë është me avion. Kam shumë oferta për të luajtur remixet e mia nëpër koncerte, kështu që do jem aty ku ka shqiptarë, nuk ka rëndësi vendi”, përfundon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë