Politike

“Rraja”, Rama: Do t’i nxjerrim ujë të zi foleve të krimit. Basha: E kanë luftë mes bandash

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka përshëndetur aksionin e sotëm të Policisë së Shtetit, e cila ka vënë në pranga Redjan Rrajën, nipin e deputetit Rrahman Rraja, lidhur me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja.

Rama shkruan se policia ka bërë punë të shkëlqyer për zbardhjen e ngjarjes, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit, ndërsa shton se brenda muajit do të jetë gati ligji special kundër personave të kriminalizuar brenda dhe jashtë vendit.

“Përshëndes me respekt punën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit. Brenda muajit Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda…”, thuhet në reagimin e kryeministrit Rama në “Twitter”.

"Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu #DerinëFund #ZeroTolerancë", vijon Rama.

https://twitter.com/ediramaal/status/1191685224649969664

Basha: Vijon poshtërimi i PS-së

Ndërsa lideri demokrat, Lulzim Basha, deklaroi sot se arrestimi i kushëririt të deputetit socialist lidhur me atentatin kundër prokurorit Ndoja poshtëron akoma më shumë Partinë Socialiste, ndërsa e cilësoi këtë si një luftë mes bandave.
Sipas tij, e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme.

Basha gjatë prononcimit për mediat

“Fatkeqësisht është në vazhdën e poshtërimit të Partisë Socialiste, në vazhdën e poshtërimit të qytetarëve shqiptarë, sepse tregon që kjo është një luftë e pastër mes bandave në pushtet. Është tregues i qartë i nevojës për ndryshim të menjëhershëm, për zgjedhje të parakohshme, që do t’u kthejnë qytetarëve dinjitetin, të drejtën e votës dhe do t’i fuqizojnë duke zgjedhur në Parlament dhe në qeveri njerëzit që meritojnë të udhëheqin aspiratat dhe dëshirat e tyre për ndryshim. Në funksion të kësaj është edhe turi im që sapo kam nisur. Është një tur bashkëbisedimi dhe dëgjimi, jo vetëm i halleve, brengave dhe i të vërtetës së hidhur si kjo që është shpalosur sot, por edhe i zgjidhjeve, të cilat duhet të prodhojë një qeveri dhe një parlament që të përfaqësojë interesat e qytetarëve dhe jo interesat e bandave kriminale, siç tregon qartë edhe arrestimi i sotëm”, u shpreh ndër të tjera Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë