Dhuna e ushtruar ndaj dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad ka vënë në lëvizje strukturat policore serbe, të cilat njoftojnë se kanë arrestuar 4 persona, që dyshohen si autorë të dhunës.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç.
“Katër persona janë arrestuar për shkak të sulmit ndaj dy shqiptarëve që ndodhi në qytetin serb të Novi Sadit mes natës së të shtunës dhe së dielës”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviç.
Siç raportuan mediat në Beograd, njëri prej të rinjve iu është nënshtrua një operacioni të vështirë, pasi sipas mjekëve, ai kishte pësuar çarje në pjesën e kafkës.
U raportua se shkak për këtë dhunë ishte bërë fakti se dy të rinjtë kishin biseduar në gjuhën shqipe në një nga zonat e Novi Sadit.
Një prej tyre tregoi se ai kishte folur në gjuhën shqipe dhe dy djem që i kishin dëgjuar kishin filluar t’i rrihnin.
Më pas, atyre u ishin bashkuar edhe të tjerë. Dy të rinjtë pësuan lëndime trupore dhe mjekët në spitalin e Novi Sadit kanë luftuar për t’i shpëtuar jetën njërit prej tyre, Çlirim Malokut, i cili fatmirësisht tani është jashtë rrezikut për jetën dhe ka dalë nga reanimacioni.
Për këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ka theksuar se dhunuesit do të vihen para drejtësisë. Sipas tij, të gjithë qytetarët që jetojnë në Serbi, pa asnjë dallim, do të trajtohen të barabartë.
“Falënderojmë mjekët dhe ekipin e ndihmës së shpejtë. Ne apelojmë tek autoritetet kompetente për t’i ndaluar dhe identifikuar sulmuesit sa më shpejt që të jetë e mundur. Të rinjtë sulmues janë shtetas serbë. Unë jam duke i kërkuar MUP-it që të gjejë sulmuesit. Të gjithë qytetarët tanë duhet të kenë të njëjtën mbrojtje. Ata që mendojnë se mund të sillen ndryshe do të gjejnë një përgjigje shumë të fortë nga shteti”, është shprehur Vuçiç pak para arrestimit të tyre.
Gjithashtu reaguan edhe krerët e institucioneve të Kosovës si kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli si dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Ata kërkuan nga organet serbe identifikimin dhe nxjerrjen para drejtësisë së personave përgjegjës për rrahjen e dy të rinjve shqiptarë.
Gjithashtu, u kanë kërkuar autoriteteve në beograd që të sigurojnë lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët.
Me anë të një statusi në “Facebook”, Haradinaj shprehet se ky është një rast i pashembullt që dëshmon se lëvizja e lirë në shtetin serb nuk është e garantuar.
“Derisa Çlirim Maloku po lufton për jetë, nga lëndimet e marra, një shtet që negocion për anëtarësim në BE duhet të ndërmerr veprime të shpejta për ta zbardhur rastin. Dy të rinjve shqiptarë u uroj shërim sa më të shpejt, ndërsa sulmuesit të sillen para drejtësisë dhe të marrin ndëshkimin meritor”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërsa, kryeparlamentari Kadri Veseli ka kërkuar nga autoritetet në Beograd që të vendosen para drejtësisë autorët e kësaj ngjarjeje.
“Me shqetësim mora lajmin për sulmin e kryer ndaj dy shqiptarëve në Novi Sad. Pa dashur të paragjykoj për rrethanat dhe shkaqet e sulmit, kërkoj nga autoritetet në Beograd që të gjejnë sa më parë ata që kryen këtë akt dhe ti vendosin para drejtësisë. Serbia duhet të dëshmojë se është e përkushtuar në mbrojtje të njerëzve, pa dallim etnie. Po ashtu, duhet të heq dorë nga gjuha e urrejtjes e cila ushqen dhunën. Të lënduarve ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë”, është shprehur Kadri Veseli.
Ministri i Jashtëm Pacolli përmes një postimi në “Facebook” ka deklaruar se e ka marrë me shqetësim të thellë lajmin për sulmin ndaj dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad.
“Ne si ministri jemi duke bërë përpjekje qoftë direkt, përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, qoftë edhe përmes kanaleve ndërkombëtare, që të ndihmojmë në ofrimin e ndihmës për viktimat e këtij rasti, si dhe të ndërhyjmë në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se Serbia duhet të heq dorë nga gjuha e urrejtjes, e cila ushqen dhunë. “Ne e dënojmë ashpër këtë akt dhune dhe kërkojmë që autorët të sillen para drejtësisë. Urojmë shërim sa më të shpejtë”, shkroi Pacolli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



