Lajme

Rozi Kostani – Të ringjallësh Ernest Koliqin

Suadela Balliu - Atë çka do të ndodhte pas vitit 1992 në Shqipëri, shkrimtari Ernest Koliqi do ta profetizonte në fund të viteve ’30, në dramën “Rrajët lëvizin”. Ishte kjo gudulisje imagjinare, thotë Rozi Kostani, që e çoi ta nxirrte atë vepër, të harruar në skedarë e bibliotekës, për t’i dhënë jetë, për herë të parë mbi skenë.
“I kisha lexuar disa vepra dhe më kanë shijua, por e kisha marrë si një miklim personal, ndoshta ngaqë jam shkodrane”, thotë regjisorja, ndërsa rrëfeu përvojën e vënies në skenë të kësaj vepre, në tryezën e rrumbullakët “Teatri dhe Shoqëria”, ndërmarrë nga sektori i edukimit në teatrin “Metropol”, si një sprovë nxitëse e reflektimit ndaj realizimeve të edicioneve MetroFest dhe fuqizimin e veprimtarive prej shkëmbimit të mendimeve dhe bashkëveprimit mes fushave të artit skenik, dramaturgjisë, antropologjisë kulturore.
“Çelësi që gjeta, ishte profecia që ai bën”, vijon Kostani, “Ai sjell tri kohë brenda një teksti.”


E shkuara kur ai emigroi prej vendit të tij, si kujtesë emocionale dhe e tashmja. “E tashmja jonë. Ajo që po jetojmë pas rënies së regjimit komunist. Ishte befasuese sesi e kishte perceptuar dhe analizuar gati të saktë kohën, me kthimin e pronës.”
Personazhet e dramës, e cila erdhi premierë absolute, gjatë ditëve të edicionit të dytë të festivalit të dramës shqipe “Metrofest”, Koliqi i ka vendosur në një konflikt dy kampesh, zbulon më tej regjisorja. “Një kamp, ai i brezit të vjetë që aspiron të ardhmen dhe një tjetër kamp, me të rinj që shohin drejt së shkuarës. Kjo ishte interesantja.”
Gjuha e Koliqi, mendon Kostani, ndër të gjithë autorët që kanë shkruar në gegnisht, kishte muzikalitet të veçantë. “Muzika m’u kthye si nevojë. E quaj shfaqje muzikore.”
Nga një bisedë me kompozitorin Robert Radoja, për të sjellë Koliqin në tri kohët e tij, Kostani thotë se prej përzgjedhjeve muzikore ishte kënga “Liqeni i Shkodrës”. “Nuk e dija se ekzistonte dhe se ishte këngë e rinisë së Koliqit. Ko u bë pika kulmore”, thotë ajo. Ndalesa tjetër muzikore ishte kënga “Larg o dhe”, e kompozuar nga Mikel Koliqi, kardinali i parë shqiptar dhe vëllai i Ernest Koliqit. “Kjo e plotësoi dhe e çoi më tej veprën”, kujton regjisorja, e cila gjithashtu edhe interpretoi në këtë vepërr. I qëndroi besnike gegnishtes, duke zgjedhur aktorë shkodranë, të cilët i siguruanë muzikalitetin gjuhës.

Nga drama "Rrajët lëvizin"


Sfida që hasi, rrëfen Kostani në një panel, ku marrin pjesë edhe studentë të fakultetit të Letërsisë nga Universiteti i Tiranës ishte përshtatja që duhet t’i bënte për brezat një vepre të shkruar në vitin 1938. Si mund të shihej ai realitet që kishte parë dikur Koliqi? Si ishte shtëpia, në ëndrrën e tij? Në atë ëndërr, ku i kishte kërkuar së bijës, të kthehej në Shkodër e të shihte me sytë e tij e të fliste me zërin e tij. “Shkuam bashkë me trupën tek shtëpia e Koliqit në Shkodër, sigurisht që kishte ndryshuar nga ajo kohë, por kërkuam të shihnim me sytë e tij.”Kostani zbulon se edhe detajet e rekuzitës, ato pak që mundën të siguronin, ishin autentike. “Ndodhi një proces i çuditshëm. Ashtu siç i ndodhi Izës, Elizabetës, së bijës së Koliqit dhe Izës, personazhit të dramës…”

“Rrajët lëvizin” doli nga biblioteka. Ernesti e ka lënë si amanet, t’i lëvizin rrënjët dhe një dramë e shkruar, nëse nuk vihet në skenë është e destinuar të vdesë. Me këtë vepër, e ringjallëm Koliqin”,Rozi Kostani.


Në vitin 1992, pas rënies së diktaturës, e bija e Koliqit kthehet në Shkodër dhe i mbyllet dera e shtëpisë së të atit, prej qiraxhinjve. “Kurse në tekst, Koliqi ia hap derën Izës.”
Hulumtimi për ta pasqyruar të plotë aromën shkodranë e çoi regjisoren edhe tek marrëdhënia që shkodranët kanë me kafshët, veçanërisht me micat, siç i thonë ata në dialekt maceve. “Gruaja e moshuar ushqen macen, burri pëllumbat.”
Kostani ndalet në një tjetër vepër të Koliqit, “Pasqyrat e Narcizit”, që sipas saj janë pasqyrat e jetës shkodrane. “Pasqyra shkodrane vjen nga jashtë, futet brenda për të gjetur atë që ka humbur”. Megjithëse Koliqi e profetizoi se toka do u kthehet të zotëve, ajo çka ndodhi pas ’92, përvetësimi i pronës, ishte një tjetër dramë e realitetit shqiptar.
Drama “Rrajët lëvizin” , zhvillohet në Shkodër, me 197… Ishte rreth viteve ’70, dy dekada më parë se të ndodhnin vërtetë, që Koliqi i kishte parashikuar ndryshimet në Shqipëri.

Ernest Koliqi


(Nji odë buke, e gjanë, në nji shtëpi të vjetër zotnijsh. Mure prej shum kohe së palyeme. Nji tryezë e thjeshtë katranëshe në mjedis rrethue me ndejse të zhgatrrueme të ndryshme njana prej tjetrës. Në fund të dhomës dy dritore të mëdhaja qi biejnë kah rruga. Në perden e mbajtë, në skaj kah fundi, një derë qi qet n’odë të zjarrmit, madej një kanapeh mbulue me pelhurë të zgjedhur, tshti e repun dh’e zverdhkatë në ngjyrë. N’anën e djathtë nji derë qi qet në shenashin. Edhe pse s’mungon dlirsija, ambjeti ep nji përshtypje së lanumi mbas dore. Shifet menjiherë se dikur ajo banesë shkelqente me orendi të begatëshme e dallohej për mbajtje të kujdesshëme. Asht mëngjesi i një dite së dielle vjeshte).
“Ardhja e Izës (Deshta me pa, mbasi më qiti rasa me ardhë në Shkodër, shtëpin e prindve të mij) është një pikë shprese, “sepse ajo sheh me sytë e Koliqit. Iza u thotë njerëzve të mos kenë frikë, prona është e të gjithë Shqipërisë, ajo nuk do asgjë”.Kjo vënie në skenë, ishte një përpjekje për të lexuar Ernest Koliqin, thotë Kostani. “Nuk e di sa ia kemi arritur, por tingulli që më ka dhënë mua, besoj se është përçuar. “Rrajët lëvizin” doli nga biblioteka. Ernesti e ka lënë si amanet, t’i lëvizin rrënjët dhe një dramë e shkruar, nëse nuk vihet në skenë është e destinuar të vdesë. Me këtë vepër, e ringjallëm Koliqin”, e përfundoi fjalën e saj Kostani.


Drejtoresha e Teatrit të Metropolit, Jonida Beqo, tha se fjala kyçe në sjelljen në kohë të dramave shqipe, është gjetja e universales. “Arsyeja pse më preku specifikisht “Rrajët lëvizin” edhe pse nuk jam nga Shkodra, ishte përjetimi i emigrimit”, thotë Beqo, e cila ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për disa vite, përpara se të rikthehej në Tiranë.
“Pavarësisht dialektit, që një pjese të publikut mund t’i jetë dukur e vështirë, u përjetuar nga të gjithë emocionalisht, pikërisht për ato debate mes dy brezash; brezit të vjetër që sheh nga e ardhmja dhe të rinjtë nostalgjikë”.Për Beqon, kontributi më i madh i të gjithë punës me të dy edicionet e festivalit “Metrofest” është sjellja në kohë. “Veprat nuk kanë më vlerë historike, por i flet një publiku modern, që mbase edhe nuk e di se ekziston shtëpia e Ernest Koliqit në Shkodër. Vepra i flet asaj çka është përjetuar tek secili prej nesh, në aspektin komunitar.”


Regjisorja Sonila Kapidani, e cila në “Metrofest”, solli veprën “Kryet e hudhrës” të autores nga Kosova, Kristë Berisha, foli rreth sfidave specifike kur zgjedh të vësh në skenë një tekst shqiptar. “Ka pasur trazime, kam dëgjuar shpesh pyetje ka apo nuk ka dramë shqipe, më kanë thënë pse e bën këtë, pse nuk merr një vepër nga dramaturgjia botërore, që të ënt ë shprehësh veten më lehtë si regjisore. Por doja koloritet e vendit tim, të shprehesha me të.”


Kapidani thotë se në tekstet e studiueses Ernestina Halili, lexoi se kjo vepër kishte shënuar fillesat e dramës shqipe në Kosovë. “Më ngjasonte me formën e “Comedia del arte”, lëvruar shumë në vende si Italia, Franca e Anglia dhe mendova se ishte formë e mirë ta sillja ashtu ,sepse u jepte mundësi më të mëdha shprehëse aktorëve, në muzikë, në kërcim, në akrobaci.” Ato problematika të biznesit, që përshkruan autorja, sipas regjisores, i hasim edhe sot.“Ajo çka mundemi të bëjmë, është të krijojmë kulturë. Kemi bërë një punë. Do të doja shumë që kjo punë të gjejë frymëzim për ju të rinjtë, që ta bëni edhe më mirë. Por kryesorja është t’i gëzohemi dramës shqipe dhe ta mundësojmë të bëhet e gjallë”, u shpreh Kapidani, duke iu drejtuar të rinjve.


Sipas pedagoges Ernestina Halili, e pranishme në këtë takim, është e rëndësishme përgatitje e kritikut të teatrit, që do të mbrojë arritjet e dramës shqipe dhe do të analizojë se në ç’nivele është ajo. Halili u ndal në punën që bëhet me studentët e letërsisë dhe sesi me rastin e 200 vjetorit të lindjes së Jeronim de Radës, vunë në skenë “Këngët e Milosaos”, duke kthyer tekstin letrar në dramatiko-tragjik, në laboratorin e dramës.
Halili ivuri në dukje sesa e rëndësishme është për studentët kontakti me skenat e teatrit, duke i bërë thirrje drejtoreshës së Metropolit, ta ketë në vëmendje këtë kategori, që shpesh sipas pedagoges, e ka të vështirë ta përballojë koston e një bilete teatri, qoftë edhe me tarifat studentore.

Antropologu Albert Nikolla, duke iu referuar filozofit të krishterë, Shën Agostinit, tha se teatri është shëlbyes. “Sipas Shën Agostinit, teatri lind tek Babilonia dhe Jerusalemi. Babilonia që përfaqëson kaosin, korrupsionin, mosmarrëveshjen mes njerëzve dhe Jerusalemi, qyteti i zotit dhe i paqes. Për të shkuar atje, na nevojitet teatri. Rruga drejt Jerusalemit është e mundimshme. Ndaj duhet teatri, në kuptimin e bukur të fjalës. Ai që bën teatër është shëlbyesi. Teatri është një lojë serioze”, tha Nikolla, ndërsa duke cituar një tjetër filozof të krishterë, Shën Thomain, e quajti teatrin dashuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë