Futboll

Ronaldo pa limite, 700 gola për të mbajtur larg “armikun” Mesi

Kristiano Ronaldo synon të vendosë sot një rekord të ri. Sulmuesi portugez i Juventusit ka shënuar 698 gola në karrierën e tij, sot në mbrëmje do të jetë në fushë me kombëtaren e tij ndaj Luksemburgut dhe ka shumë shanse të arrijë kuotën e 700 golave, ose ta kalojë këtë kufi.

Nga CR7 në CR…700. Janë 17 vitet e një alieni të futbollit. Objektivi i radhës për portugezin është i qartë: të kapë ose kalojë shifrën e 700 golave për të mbajtur sa më larg “armikun” Lionel Mesi, i cili ka shënuar 672 gola deri tani në karrierë. Golin e parë Ronaldo e ka shënuar më 7 tetor, kundër Moreirenses në kampionat, sot në mbrëmje mund të shkojë 700 gola. Në 2002-shin Kristiano ishte 17 vjeç dhe mbante fanellën e Sportingut të Lisbonës, një djalosh ambicioz që ëndërronte “Topin e artë”. Sot është në kuotën e 698 golave dhe me Portugalinë e tij mund të vendosë një tjetër rekord, mungojnë edhe 2 gola.

Kristiano ka shënuar në 21 kompeticione të ndryshme dhe numëron 127 gola në Champions League. Askush nuk ka bërë më mirë se ai. Një muaj më parë, kundër Lituanisë, shënoi 4 gola në fitoren 5-1 të Portugalisë, duke i marrë rekordin Robi Kin në kualifikueset europiane. Irlandezi kishte shënuar 23 gola, portugezi tani ka 25 gola. Ka shënuar 93 gola me kombëtaren e Portugalisë dhe ndjek iranianin Ali Daei, me 109 gola. Ronaldo është gati për rekordin e radhës, në shtëpinë e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë