Futboll

Ronaldo nderon Juven në sekondën e fundit, dramatike në Napoli

Kristiano Ronaldo, me një penallti të fituar vetë dhe të shndërruar në gol në minutën e 6 shtesë, ka rikthyer Juventusin në krye të Serisë A, me 26 pikë. Kampionët kanë vuajtur shumë për të mposhtur Xhenoan në Torino. Bonuçi e kaloi Juventusin në avantazh, por vetëm 5 minuta më pas Kuame barazoi. Thuajse gjithë pjesën e dytë skuadra e Sarrit ishte në superioritet numerik, pasi Xhenoa mbeti me 10 lojtarë, por vetëm në shtesë erdhi goli i fitores nga portugezi Ronaldo. Bardhezinjtë parakalojnë Interin, që mbajti kreun për 24 orë.

Një nga sfidat më interesante të kësaj jave në Serinë ishte ajo mes Napolit dhe Atalantës, që ka përfuduar në barazim, 2-2. Ishte një ndeshje që pati shumë polemika për golin e barazimit të Atalantës. VAR-i e vlerësoi të rregullt, por napoletanët kanë pretenduar se në fillim të aksionit ishte një penallti që duhej të akordohej për ta, por në fakt nuk rezultoi kështu, pasi ishte Lorente që kishte bërë faull ndaj mbrojtësit të Atalantës, edhe pse ky i fundit e kishte rrëzuar në tokë.

Moment nga tensioni në ndeshjen Napoli-Atalanta, 2-2. Gazeta Si, 30 tetor 2019

Një situatë e pazakontë, pasi lojtarët e Napolit nuk pranonin të vazhdonin lojën, çka solli edhe ndëshkimin me karton të kuq të trajnerit Karlo Ançeloti, i cili kërkoi t’i qetësonte të tijtë, por edhe protestoi te gjyqtarët. Mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, luajti 65 minuta në këtë ndeshje dhe më pas u zëvendësua nga Kjaer. Mungoi sfida me Hysajn, i cili e ndoqi ndeshjen nga tribuna për shkak të dëmtimit. Kanë fituar bindshëm dy skuadrat e kryeqytetit, Lacio në shtëpi ndaj Torinos dhe Roma në transfertë ndaj Udinezes, të dyja me të njëjtin rezultat, 4-0. Strakosha ishte titullar, si gjithmonë, dhe nuk pësoi asnjë gol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë