Njerez

Ronaldinjo mbetet peng në Brazil, i sekuestrohet pasaporta

Yjet e futbollit kanë ndriçuar qiellin e Dubait, por mes shumë fenomenesh të botës së futbollit mungonte dikush: Ronaldinjo! Ai qëndroi në Brazil dhe pa gjithçka nga televizori, por jo me dëshirën e tij. Ish-fantazisti i Barcelonës nuk do të mungonte kurrë në një skenë kaq prestigjioze, por këtë radhë ishte i detyruar. Për të udhëtuar jashtë vendit duhet pasaporta dhe Ronaldinjo nuk e ka për momentin, sepse ka probleme me ligjin, me taksat.

Të gjithë e kujtojnë lajmin që bëri xhiron e botës në pak minuta: në numrin e llogarisë së brazilianit kishin mbetur vetëm pak të shkoqura. Nuk ishte një shenjë se Ronaldinjo është varfëruar, por me shumë mundësi një manovër për t’u shpëtuar autoriteteve braziliane, që e kishin gjobitur me dy milionë euro. Problemi nuk është zgjidhur ende dhe pasaporta është e sekuestruar, kështu që Ronaldinjo ka mbetur në shtëpi. Secili ka një mënyrë të vetën për t’i përballuar gjërat dhe Ronaldinjo e bën me alegri, si gjithmonë, ndërsa gazetat i dedikojnë faqen e parë, duke shkruar për bashkëjetesën e tij me dy të fejuarat, Prishilën dhe Beatrizin.

Braziliani nuk e prish shumë terezinë, pavarësisht polemikave të shumta dhe i dedikohet pasionit të ri për “teqball”. Në pritje për të mësuar nëse në numrin e llogarisë do t’i shtohen të ardhurat dhe nëse do t’i kthehet pasaporta, Ronaldinjo vazhdon jetën në Brazil, mes të fejuarave dhe xhonglimeve.

 

Më Shumë