Lajme

Vlahutin lë Shqipërinë: Po punoni fort për në BE

Romana Vlahutin i ka dhënë fund mandatit 4-vjeçar si ambasadore e Bashkimit Europian në Shqipëri. Dita e djeshme ka qenë dita e saj e fundit dhe Vlahutin përmes një postimi në “Twitter” jep një mesazh për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke shprehur vlerësim për ta. Ajo shkruan se ka punuar në të mirë të Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe uron fuqi e vendosmëri për t’u bërë pjesë e BE.

“Eshtë dita e fundit e mandatit tim si ambasadore e BE-së në Shqipëri. Do të jem gjithnjë mirënjohëse për privilegjin që m’u dha për të punuar në dobi të Shqipërisë dhe Europës. Shqipëria po punon fort për vendin e saj në BE, që i takon me të drejtë. Mund t’ju uroj vetëm që të keni forcë dhe vendosmëri për ta arritur këtë qëllim sa më shpejt. Sa për mua, personalisht, mundësia për ta ndarë jetën me njerëzit e mirë të Shqipërisë, dhe për ta pasur Shqipërinë shtëpinë time për katër vitet e fundit, ka qenë një dhuratë e mrekullueshme. Faleminderit”, shprehet Vlahutin në “Twitter”.

Vlahutin do të mbahet mend për përpjekjet për miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi.

Romana Vlahutin do të zëvendësohet në Shqipëri nga Luigi Soreca, i cili ka qenë drejtor për Sigurinë në Komisionin Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë