Futboll

Roma, ‘mikesha’ e padëshiruar e Partizanit!

Partizani është skuadra e vetme shqiptare që vazhdon të luajë në Kupat e Europës, në raundin e tretë të Conference Legue. Pas eliminimit nga raundi i parë në Champions nga BATE Borisov dhe kalimit në raundin e dytë të Conference League, të kuqtë kryeqytetas arritën të eliminimonin skuadrën kampione të Andorras, Escaldes, me rezultatin e përgjithshëm 5-1 (0-1 në Andorra dhe 4-1 në Tiranë).

Të hënën në mesnatë kampionët e vendit nisen për në Letoni, ku do të përballen me skuadrën e Valmeiras për raundin e tretë eliminator, një tjetër sfidë shumë e rëndësishme, si për aspektin sportiv, ashtu edhe atë financiar, pasi kalimi i këtij raundi dhe pjesëmarrja më pas në "play-off" do të sillte 400.000 euro plus në llogarinë e Partizanit.

Partizani feston nje gol ne 'Air Albania'. Gazeta Si, 6 gusht 2023

Megjithatë, në mënyrë të beftë dhe deri diku të papritur apo të panevojshme, për lojtarët dhe pa dyshim për trajnerin, kampionët e vendit dy ditë pas ndeshjes së parë me Valmeiran, që luhet më 10 gusht në Letoni, do të zhvillojnë miqësoren e luksit me Romën. Skuadra italiane rikthehet të luajë një ndeshje 1 vit më pas aty ku fitoi trofeun e parë të Conference League, në “Air Albania”.

Po çfarë i duhet Partizanit kjo ndeshje miqësore në mes të Kupave të Europës, kaq të rëndësishme për të? Për çfarë i duhet Partizanit kjo ndeshje luksi vetëm një ditë pas rikthimit nga Letonia dhe me çfarë lojtarësh do të luajë përballë Romës, 48 orë pas një ndeshjeje aq të rëndësishme si ajo e Valmeiras?

Pa dyshim që trajneri as e ka kërkuar, as mund ta këkojë dhe as i duhet kjo shpërndarje vëmendjeje e ekipit. Lodhja ekstra, jo e jo, në këtë pikë kulminante të objektivit real, që është kualifikimi për në "play-off"-in e Conference League.

I gjithë ky luks për Partizanin, skuadrën, lojtarët, është krejt i panevojshëm edhe për një fakt tjetër, pas dy ndeshjeve brenda 48 orëve, vetëm pesë ditë më pas, më 17 gusht, 'Demat' do të duhet të luajnë ndeshjen e kthimit me Valmeiran në “Air Albania”, ku do të vendoset nëse kualifikohet apo jo për në raundin e "play-off"-it.

Dhe 48 orë më pas, më 19 gusht, fillon sezoni i ri i kampionatit shqiptar, ku Partizani do të presë Teutën. 4 ndeshje për 9 ditë! A mundet një skuadër shqiptare dhe jo vetëm, me një grup lojtarësh të formcionit bazë të limituar, t'i zhvillojë dhe t'i përballojë, qoftë edhe vetëm fizikisht ato?

Sigurisht me Romën në Tiranë, ku u shpall kampione e Conference League, nuk qëllon të luash shpesh, por ky nuk është momenti për spektakël, ndoshta mund të jetë për biznes apo show, por e sigurt është që trajnerit dhe lojtarëve të Partizanit do t'i dhembë koka nga gjithë ky luks.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë