Futboll

Roma fiksohet me Elseid Hysajn, e do që në janar kapitenin kuqezi

Drejtuesit e Romës janë duke punuar që tani për merkaton e janarit në të dy frontet. Së pari ata kërkojnë të shesin lojtarët që kanë në huazim dhe pastaj të bëjnë blerje. Trajneri Fonseka ka nevojë për një mbrojtës të krahut të djathtë dhe prej kohësh është vënë në shënjestër kapiteni i Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj.

Futbollisti shkodran i Napolit shihet si profili i duhur për atë që kërkon trajneri dhe drejtori sportiv, Petraki, ka kohë që e ka nisur punën për të transferuar Hysajn në Romë. Objektivi i drejtuesve të Romës është që ta marrin mbrojtësin shqiptar që në merkaton e janarit, pasi do t’i bënte punë skuadrës, por në mes janë edhe termat ekonomikë. Nëse marrëveshja nuk arrihet në merkaton e dimrit, atëherë do të shtyhet për në qershor. Është vetëm çështje kohe veshja verdhekuq e Hysajt, për të cilin klubi kryeqytetas nuk do të shpenzojë shumë, pasi mbrojtësi është në fund kontrate.

Gjasat janë të mëdha që sezonin e ardhshëm të kemi një derbi shqiptarësh në Romë, ku Hysaj do të jetë kundër Strakoshës së Lacios. Hysaj është dëmtuar disa ditë më parë gjatë një ndeshje kampionati dhe i ka munguar Kombëtares në ndeshjet me Turqinë dhe Moldavinë. Një mungesë që është ndjerë në Turqi, pasi shkodrani është një lojtar shumë i rëndësishëm, jo më kot mban në krah shiritin e kapitenit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë