Futboll

Roma do trofeun e 2-të europian, Fejnordi pa humbje në Tiranë

Gazeta Si - Luhet sot finalja e Kupës së tretë kontintentale. Holandezët, të pathyeshëm në Ligën e Konferencës, me 8 fitore dhe 4 barazime, ndeshen me Romën. Precedenti i vetëm Roma-Fejnord i takon sezonit 2014-2015 të Ligës së Europës. U kualifikuan italianët.

Takim me historinë për Romën dhe Fejnordin. Skuadra e Mourinjos sfidon holandezët në Tiranë. Këta të fundit mund të fitojnë trofeun e 4-t europian, pas Kupës së Kampionëve 1969-'70, Kupës Uefa 1973-'74 dhe 2001-'02.

Për italianët është finalja e tretë europiane në histori. Pas fitores ndaj Birmingam Sitit në 1960/61, ka humbur në Kupën e Kampionëve në 1983/84 kundër Liverpulit me penallti dhe në Kupën UEFA 1990-'91 kundër Interit (1-2 në dy ndeshje).

Roma vjen në finalen e sotme pas fitores 0-3 ndaj Torinos në kampionat. Abraham me shokë e mbyllën kampionatin në vend të 6-të, duke u kualifikuar në Ligën e Europës, pavarësisht rezultatit në “Air Albania”.

Fejnordi humbi kundër Tuentes në ndeshjen e fundit dhe e mbylli kampionatin në vend të 30-të, pas Ajaksit dhe PSV Eindhovenit. Skuadra holandeze nuk ka asnjë humbje në Ligën e Konferencës në 12 ndeshje.

Nuk shënoi në sfidën e fundit ndaj Olimpikut të Marsejës (0-0), por më parë ka shënuar 2 gola për ndeshje në 10 të mëparshmet.

Do të jetë përplasja e tretë në Europë mes Romës dhe Fejnordit. Dy skuadrat janë përballur në 1/8 e Ligës së Europës në 2014/15. Roma u kualifikua pas barazimit 1-1 në shtëpi dhe fitores 1-2 në transfertë.

Skuadra e Mourinjos ka humbur 2 nga ndeshjet e këtij sezoni në Ligën e Konferencës, të dyja ndaj Bodo/Glimt. Por italianët e kanë mbajtur portën të paprekur në 5 ndeshje, duke përfshirë edhe 2 nga 3 të fundit.

Mbrojtja holandeze duhet të jetë e kujdesshme në goditjet e këndit. Abraham me shokë kanë shënuar 6 gola nëpërmjet tyre, dyfishin e çdo skuadre të Ligës së Konferencës.

Roma dje në stadiumin "Air Albania". Gazeta Si, 25 maj 2022

Roma dhe Fejnordi shënojnë më shumë gjatë 30 minutave të para: 10 gola në total, më e larta e gjithë klubeve pjesëmarrëse të kompeticionit. Roma ka shënuar 15 gola në pjesën e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë