Muzike

Rolling Stones nis turneun europian të 60-vjetorit në Madrid

foto e grupit

Legjendat britanike të rokut “The Rolling Stones”, filluan turneun e shumëpritur europian me një koncert në Madrid. Ata me këtë turne shënojnë 60 vite karrierë në muzikë.

Turneu u pagëzua Sixty.

Pjesëmarrja e dashamirëve të Stones në koncert ishte masive. Kjo dëshmoi se ata vazhdojnë të kenë numër të madh fansash edhe pas 60 vite karriere.

Rolling Stones, turneun Sixty e organizuan pas atij “No Filter”, që filloi në vitin 2017, por që në Amerikën Veriore koncertet u shtynë për shkak të pandemisë së COVID-19.

Pas vonesës, turneun “No Filter” e përmbyllën nga fundi i vitit të kaluar, me shitje të një milion biletave. Ata mbajtën koncertet pa Charlie Watts i cili vdiq muajin gusht në moshën 80-vjeçare.

Në koncertin në Madrid, Rolling Stones interpretuan disa nga hitet e viteve të 60-ta, si “Jumpin”, “Jack Flash” e “I Can’t Get No Satisfaction”.

Anëtari kryesor i bendit Mick Jagger, i cili është 78 vjeçar, dhe anëtarët tjerë si Keith Richards, po ashtu 78 vjeçar dhe Ronnie Wood 75, në kryeqytetin spanjoll mbërritën javën e kaluar. Ky bend do të interpretojë edhe në 13 qytete të tjera rreth evropës. Në Londër do të mbajë dy koncerte.

Ata do të përformojnë edhe në Amsterdam, Bern, Milano, Londër, Bruksel, Vjenë, Lion, Paris, në qytetin gjerman Gelsenkirchen, e koncertin përmbyllës do ta mbajnë në Stokholm më 31 korrik.

Pritshmëritë janë në rritje për shfaqjen në San Siro më 21 qershor.

Sipas kritikëve, Stones nuk kanë në plan të ndalojnë dhe të refuzojnë të quajnë ndonjë turne të fundit.

“Mund t'ju them kategorikisht se Rolling Stones nuk do të bëjë kurrë një turne lamtumire... Mendoj se të gjithë në botë po pyesin ‘a është ky fundi i Rolling Stones?’, thotë stilisti Patrick Woodroffe.

“Sa herë që ata shkojnë përsëri në turne dhe të vetmit njerëz që nuk e vënë në dyshim janë vetë Rolling Stones”.

Veç kremtimit të 60-vjetorit të karrierës në muzikë, “The Rolling Stones” po ashtu po shënojnë edhe 50-vjetorin e lançimit të albumit të tyre “Exile on Main St”.

Bendi The Rolling Stones vlerësohet njëri prej më të suksesshmëve në muzikë, me shitje rekord të 200 milionë incizimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë