Dosje

Roli i gruas në vrasjen e ish-burrit, “plani” me babain 20 minuta para krimit

Ekzekutimi i Kudrejt Saliajt dy ditë më parë pranë një lokali në zonën pranë Gjykatës së Tiranës, duket se ka qenë i përgatitur ish-vjehrri dhe gruaja e viktimës.

Burime policore, bëjnë të ditur se autori i ngjarjes, Mexhit Picari dhe e bija, Dhurata Saliaj, kanë vëzhguar për rreth 20 minuta para vrasjes të gjitha lëvizjet e Saliajt dhe kanë bashkëpunuar në krim.

Po ashtu, babë e bijë kanë bërë deklarata kontradiktore para hetuesve, duke mos qenë koherent në deklarime. Picari ka deklaruar që në lokal ka qenë i ulur në një prej tavolinave i vetëm, përkundër nga deklarimet e Dhuratës, e cila ka dëshmuar se ka qenë me të atin në kafene.

Mexhit Picari është shprehur se kur po qëndronte në tavolinë, është futur në lokal Kudreti, i cili sipas Picarit, është afruar dhe e ka sharë.

Autori më tej është shprehur para grupit hetimor se duke ditur sa i dhunshëm është Kudreti, ka nxjerrë armën, të cilën e kishte pa karikator. “E kam mbushur, kam vendosur karikatorin dhe më pas kam qëlluar në drejtim të dhëndrit”, - ka thënë ai.

Kudret Saliaj ka qenë në ambientet e lokalit në shoqërinë e avokatit, që mbeti i plagosur dhe të psikologes. Kësaj të fundit, nga tronditja fillimisht i ka rënë të fikët dhe është përmendur pak momente më vonë.

Avokati është në spital, jashtë rrezikut për jetën, por plumbin që e ka marrë në afërsi të gjoksit akoma nuk i është hequr. Pritet që ai t’i nënshtrohet një ndërhyrje pas dy javësh.

Seanca për masën e sigurisë do të të mbahet të hënën në Gjykatën Penale të Tiranës, ndërsa Prokuroria e Tiranës pritet të kërkojë masën e sigurimit personal “arrest me burg” për babë e bijë.

Akuza për Dhurata Saliajn, pritet të jetë ajo e bashkëpunimit në vrasje, pasi ka pamje filmike dhe prova që janë administruar nga akuza për vëzhgimin e viktimës nga dy të arrestuarit.

Menjëherë pas krimit, Mexhit Picari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke shkuar në shtëpinë e vajzës në Yzberisht, ku edhe është arrestuar nga policia.

Në dëshminë e parë, ai shprehet se e kreu krimin për të mbrojtur nderin e vajzës, e cila sipas tij dhunohej nga bashkëshorti dhe akuzohej për tradhëti.

Kudret dhe Dhurata Saliaj ishin në proces divorci me njeri-tjetrin, ndërsa pritej që gjykata të caktonte dje kujdestarinë e fëmijëve.

Më herët, gruaja 38-vjeçare ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burg për dhunë ndaj fëmijëve dhe vjehrrës, gjë që duket se ka ndikuar që gjyqtarja të përgatiste vendimin që kujdestarinë t’ia jepte Kudret Saliajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë