Kinema

Rodin, një film biografik i rëndë si guri

Auguste Rodin krijoi skulptura të një shprehie të jashtëzakonshme. “Rodin” ofron dy orë betejë të aktorëve që rreken të shfaqen me jetë", shkruan kritiku Ben Kenigsberg në The New York Times për filmin biografik mbi jetën e skulptorit të famshëm francez. Kritiku vijon se filmi i plogët të detyron të fiksohesh në kundrimin e shtatoreve,  busteve  dhe modeleve të  zhveshura, që ngjajnë të ngrysura dhe serioze, ndërsa kamera shmang planet detaj. Mbani mend artistin; harrojeni artin.

“Kritikët, në festivalin e vjetshëm të Kanës e pritën “Rodin”-in si të ishin goditur, kolektivisht, me një copë mermeri në kokë. Nëse filmi shfaqet paksa më mirë tani, sërish i mungon një perspektivë mbërthyese në subjekt. Duke përdorur një strukturë episodike, pa formë dhe të kufizuar, pajtohet me llojin e skenarit që shkakton gajasje.” – është  i mendimit Kenigsberg.  

“Po kthehet në jetë” bërtet skulptorja Camille Claudel, dashnore e Rodin, interpretuar në film nga aktorja Izïa Higelin, ndërsa mësuesi i jep formë triumfit të tij më të ri. “Së shpejti do ta njohësh Balzakun si të kishe kaluar vite me të.” “Ckemi Paul!” , e përshëndet Rodin-i, Cézanne-in.“Jo, Steichen, natën,” i thotë Rodin fotografit Edward, ndërsa e ka fjalën se kur është koha më e mirë për të fotografuar monumentin e përfunduar të Balzakut.

“Mes betejës së gjinive, zhvilluar mes Rodin-it dhe Claudel-it, e cila has vështirësi  për t’u marrë seriozisht si skulptore për shkak të gjinisë, mund të gjesh gjurmë të vogla nga filma më të fortë që regjisori Doillon ka bërë. (“Raja” nga viti 2003, gjithashtu trajtonte marrëdhëniet e çekuilibruara prej moshës, pasurisë dhe dinamikat koloniale.) Por shenjat e jetës janë të pakta.”

Edhe për kritikun Peter Bradshaw nga “The Guardian”,  regjisori Jacques Doillon ka gdhendur një film tmerrësisht të keq. Është i mbushur me të gjitha klishetë e artistit, por i ngarkuar me plogështi dhe mungesë gjallërie. “Bëhet fjalë për një pasion. Por i vetmi pasion që ky film mund të nxisë në çdo premierë kinemaje do të jetë ajo e turmave të spektatorëve nëpër biletari që ulërijnë për të marrë mbrapsht paratë e tyre.”, shkruan Bradshaw.

Skenat që zvarriten gjatë, në studiot jehuese të Rodin-it, me argumentet e pakuptimta mbi pozat dhe komentet pa interes dhe pa vizion rreth artit –si të dëgjosh njerëz që bëjnë debate të stërzgjatura së videoteka apo në biblioteka publike dhe asnjë që thotë: “Shshsh, për hir të zotit, ju tufë aktorësh që s’të bindni të veshur me veshjet e kohë duke recituar fjali që i keni mësuar përmendësh.”Dhe më në fund, skena do të zbehet drejt së zezës, si të binte në një koma të shkurtër mërzie, duke u dhënë kohë aktorëve të karikojnë bateritë e mërzisë.

Si Rodin, Vincent Lindon vjen  i hidhët dhe i lëkundshëm në planet nga afër, me mjekrën e thinjur dhe kominoshet bezhë, si një Shën Klaus më i ri në moshë, me më pak ngjyra dhe më pak interesant. Ai po punon në veprën e tij “Portat e Ferrit” (të gjithë kalojmë nëpër to) dhe del në termat e pranimit të ri  publik, që duhet të bashkëjetojë me talljen dhe moskuptimin e mecenatit dhe të shtypit,  ndërsa ai nis skulpturën sfiduese të Balzakut.

Marrëdhënia e tij e zjarrtë me asistenten e shkëlqyer Camille Claudel (Izïa Higelin) thartohet ndërsa karriera e saj ngec dhe marrëdhënie me gruan e tij Rose (Séverine Caneele) bëhet e padurueshme. Si artisti gjenial i torturuar i Tony Hancock-ut, në filmin “Rebeli”, ai më tej zbulon se transporti i skulpturave, është problematik.

https://www.youtube.com/watch?v=DJhPWlsOQ7Y

Dhe në fund, ai duhet të bëhet epshor e i shthurur mbi një paradë modelesh të zhveshura dhe artistesh  të hijshme, që mezi presin të zhvishen dhe të shijojnë kënaqësitë sensuale të mjekrës së tij. Ai kapet në një treshe me dy vartëse që nënshtrohen me dëshirë. Ashtu si zonja Merton mund të kishte thënë: çfarë ju ka tërhequr së pari tek miratuesi i jetës, dhuruesi i pavdekësisë, mjekroshi Rodin? Epo, mirë për to, sigurisht. Por përse duhet që Rodin  të shfaqet t aq i prekur dhe i zymtë? Për shkak se filmi duhet me patjetër  të pohojë sërish seriozitetin e tij përgjatë kësaj bajateje boheme, tradicionale të artistit?!

Të gjithë aktorët këtu kanë dhënë performanca të shkëlqyera në të kaluarën, por janë krejt të pa ankoruar këtu, në role që nuk dalin kurrë në jetë. Dhe koncepti i  Camille Claudel-it është i sipërfaqshëm dhe nuk të ngjall asnjë kureshtje, as si artiste e as si njeri – nëse do të krahasohej me interpretimin e Juliette Binoche në “Camille Claudel 1915”, të Dumont-it (2013). Regjisorët e Valës së Re janë ankuar rreth cinéma de papa. Por kjo është cinéma de papa e vëllait të madh të mërzitshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë