Lajme

Robotët e luftës, Google tërhiqet nga bashkëpunimi me Pentagonin

Google dhe Pentagoni bashkëpunojnë prej disa muajsh në fushën e zhvillimit të inteligjencës artificiale, që do t’i mundësonte ushtrisë amerikane të kishte në gjirin e saj armë vdekjeprurëse, të ngjashme me ato që kemi parë në filmat “Terminator”.

Por, presioni dhe protesta brenda radhëve të punonjësve të Google ja ka dalë mbanë që drejtuesit e kompanisë amerikane të teknologjisë të tërhiqen nga bashkëpunimi në këtë fushë.

Mediat amerikane deklarojnë se Google ka marrë një vendim për të mos rinovuar më kontratën e bashkëpunimit me autoritetet ushtarake amerikane, por besohet se kontratës aktuale do t’i shkohet deri në fund.

Një numër i madh punonjësish të kompanisë dhanë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj zhvillimit të inteligjencës artificiale për qëllime ushtarake, ndërsa mijëra të tjerë nënshkruan një peticion ku i kërkohej bordit drejtues të kompanisë tërheqja nga bashkëpunimi me Pentagonin.

Burime nga brenda kompanisë, të cituara nga BBC, thonë se shefja ekzekutive e Google, Diane Greene njoftoi të gjithë stafin përmes një mesazhi në postat elektronike se nuk do të rinovohej më kontrata bashkëpunuese, pas përfundimit të kontratës aktuale, marsin e vitit të ardhshëm.

Por, skeptikët janë të shumtë. Kate Conger, gazetare e Gizmodo-s, një ndër më të mëdhatë në fushën e teknologjisë deklaroi po për BBC se Google vërtet mund të tërhiqet nga bashkëpunimi me Pentagonin, por nuk ka hequr dorë nga i ashtuquajtur Projekti “Maven” dhe për më tepër, nuk përjashton mundësinë e një tjetër bashkëpunimi me ushtrinë në të ardhmen.

Besohet se nga kontrata aktuale Google ka përfituar 10 milionë dollarë, por shuma mund të rritet me shumë zero nga pas nëse bashkëpunimi vazhdon.

Projekti “Maven” përfshin përdorimin e makinerive dhe inteligjencës artificiale për të dalluar sendet nga njerëzit dhe synon të përdoret në të ardhmen tek avionët pa pilotë. Pra, Pentagoni kërkon që roli i njeriut në teknologjinë e ardhshme luftarake të jetë minimal dhe avionët pa pilotë të fluturojnë të komanduar nga inteligjenca artificiale.

Në muajin prill mbi 4 mijë punonjës, përfshirë kryeinxhinierë me peshë të kompanisë, firmosën peticionin ku kërkonin që Google t’i qëndrojë larg zhvillimit të teknologjive luftarake.

“Besojmë se Google nuk duhet të përfshihet në fushën ushtarake dhe produktet e saj nuk duhet të ndihmojnë në luftë. Ndaj, kërkojmë që projekti Maven të anulohet dhe Google të hartojë një rregullore të qartë, ku të bëjë të saktësohet se as Google dhe as kontraktorët e saj nuk do të përfshihen në ndërtimin e makinerive ushtarake hi-tech”, thuhej në peticion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë