Politike

“Rithemelimi” konfirmon 18 deputetë: Beteja jonë në Kuvend, salla dhe sheshe

Në takimin e së mërkurës në selinë blu ra në sy mbledhja e 18 deputetëve rreshtuar bashkë me Sali Berishën. Në të morën pjesë edhe dy deputetët Zef Hila (ky i fundit pas paraqitjes në SPAK) dhe deputetja Greta Bardeli.

Deputetja Greta Bardeli (djathtas)

Ky ishte i vetmi lajm, ndërsa Berisha vetë gjatë fjalës përsëriti qëndrimet politike.   

Në mbledhje, edhe deputeti Zef Hila, (majtas i fundit)

“Në zhvillimet e fundit në vend, gjithçka dhe çdo sekret, çdo e dhënë e fshehtë, që ka ekzistuar në arkivën e vendit tonë për banda dhe kriminelë, sot është në treg.

Kjo përbën një zhvillim në pamje të parë shumë tronditës. Por kur mendohesh, dhe arsyeton, konstaton se banditët më të mëdhenj të këtij vendi, shefat e bandave të vendit, janë në parlament, janë në qeveri, janë në institucione, atëherë është e kotë të dramatizosh një diçka që në një vend normal është me të vërtetë dramatike.

Sot, në pikat kufitare qarkullojnë lirshëm të kërkuar dhe të pakërkuar, pasi sistemet nuk funksionojnë. Por përsëri, sot, ortakët e tyre, hyjnë në parlament, hyjnë në qeveri, hyjnë në institucione. Po të krahasosh se pasuritë e krijuara nga ata, me akte malavite, krahasuar me ministrat dhe kryeministrat me firma e dokumente zyrtare, ato janë thërrime.

Nuk është e rastit që ndodhi këto. Është e vërtetë që ishte një sulm i një fuqie armike, por këto kanë ndodhur siç e dinë të gjithë shqiptarët, rëndom nga vetë qeveria dhe bandat e saj.

Ajo që po ndodh në Shqipëri, është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor. Shpërbërja totale”, tha ai. Berisha foli edhe për vendimin për shtesat pa leje.

“Nëse ndalemi në vendimin e qeverisë, të ashtuquajtur qeveri, për pallate dhe shtesat pa leje, ai është një akt i pashembullt, ku me ligj qeverie, merren në mënyrë flagrante, funksionet e parlamentit, me vendim qeverie pushohen çështje gjyqësore, me vendim qeverie, bllokohet sistemi i drejtësisë, me vendim qeverie, vendoset një standard i tmerrshëm në vend.

Ligjet e vendit, kanë parashikuar se çdo ndërtim pa leje konfiskohet, dhe se autori i këtij ndërtimi, dënohet sipas llojit të ndërtimit, pesë deri në 8 vjet burg.

Këto janë dispozitat e përcaktuara në kodin penal dhe të votuara nga kjo pseudo-mazhorancë.

Bazuar në këto dispozita, për një kotec, për një gjysmë çatie, për një avlli, qoftë për një shtesë dhome, janë dënuar me burg 3 mijë e 400 qytetarë shqiptarë.

Janë ndjekur penalisht mijëra e mijëra të tjerë.

Kurse tani, kur vjen problemi te kullat e qeverisë, te pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ta ligji nuk ekziston. Edi Rama bën vendimin e amnistisë së tyre.

Ky është një provokacion i ulët për çdo shqiptar. Ky është dhunim flagrant i parlamentit, i cili është i vetmi institucion që ka të drejtën e amnistisë”. Ndërsa për të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, Berisha tha se Rama e di se ku është.

Berisha tha se, “ne do vazhdojmë betejën tonë në parlament, në salla, në rrugë, në sheshe”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë