Kulla C, një nga kullat fortifikuese të Kalasë së Durrësit, që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, është drejt riparimit. CHwB Albania, e cila po merret me punimet restauruse, njoftoi në faqen e saj në Facebook se “në Kullën C kanë arritur të zhvendosin 42 fragmente, të cilat disa peshonin deri në 40 tonë, larg nga muri i thyer dhe në një pozicion ku ato mund të dokumentohen dhe studiohen plotësisht”.
“Shumë qytetarë të Durrësit kaluan pranë sitit, duke ndarë pikëpamjet dhe pritshmëritë e tyre. Lëvizja e fragmenteve është një nga hapat më të rëndësishëm në këtë proces të sapofilluar”, sqaron kompania. Sipas saj, “në çdo hap të punimeve, historia ka shumë për të na ofruar”. “Një prej pjesëve të gjetura gjatë punimeve është verifikuar nga prof. Gjerak Karaiskaj dhe prof. Pirro Thomo se përmban një vulë të perandorit Anastas, duke lidhur direkt pjesë të murit me periudhën e mbretërimit të Anastasit (491-518)”.
“Stabilizimi emergjent i kullës C është një nga hapat e parë në rikuperimin e saj pas tërmetit. Kemi një rrugë të gjatë përpara nesh, dhe shumë pyetje për t’iu përgjigjur. Ne premtojmë që përveçse të stabilizojmë këtë strukturë të vlefshme, të mbledhim sa më shumë histori për sundimtarët, perandorët, njerëzit që ndërtuan kullën, njerëzit që jetojnë rreth saj, pikëpamjet tuaja për mënyrën si duhet të ruhet kjo kullë dhe si t’i lidhim ato në një interpretim për t’i mbajtur të gjithë atje ta shijojnë për orë të tëra”, thekson CHwB Albania.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.