Kombetarja

Rinovimi i Rejës, në pikëpyetje pas dy ndeshjeve të fundit

Nga dje në mbrëmje, Shqipëria është zyrtarisht pa trajner. Marrëveshja e italianit Edi Reja me Federatën Shqiptare të Futbollit ishte 6-mujore, pra deri në mbylljen e eliminatoreve të Europianit. Deri muajin e kaluar, palët ishin shumë entuziaste për vazhdimin e bashkëpunimit, si presidenti i FSHF-së Armand Duka, ashtu edhe trajneri Reja. Firma e rinovimit të kontratës dukej një formalitet, por dy ndeshjet e fundit mund të kenë vënë sërish në mendime kreun e futbollit shqiptar. Kreditet e Rejës mund të kenë rënë pak.

Barazimi 2-2 me Andorrën, ku llogaritë ishin për fitore të sigurt, dhe humbja e djeshme 0-2 me Francën mund të kenë lëkundur disi pozitat e Rejas, edhe pse në këtë moment ai duket alternativa më e mirë, pasi ka nisur një cikël të ri në Kombëtare dhe gjykimi duhet bërë në total. Për të ndërruar trajner, duket kohë e humbur, megjithatë duhet pranuar se entuziazmi i mëparshëm ka rënë. Ajo që ngre më shumë dyshime është loja e kuqezinjve në ndeshjet e fundit. Sipas specialistëve të futbollit në Shqipëri, loja e Kombëtares ka pasur regres, sidomos ndaj Francës, ku eksperimenti i trajnerit italian me Qosen titullar dhe Ismajlin në stol, dështoi plotësisht.

Nga ndeshja Shqipëri-Francë, 0-2. Gazeta Si, 18 nëntor 2019

Duket një moment reflektimi për presidentin Duka, i cili nuk nxitoi të rinovonte me Rejën pas fitoreve të bukura me Islandën dhe Moldavinë. Ai ka lënë të kuptohet gjithmonë se është pro vazhdimit me Edi Rejën në stol, por ndoshta tani duhet t’i bëjë edhe një herë llogaritë nga e para. Një trajner 74-vjeçar në krye të një ekipi që i mbyll eliminatoret në vend të 4-t, nuk janë elementë shumë shpresëdhënës. Italiani e ka thënë hapur se dëshiron të vazhdojë, tani topi është në fushën e Dukës, i cili nuk është një “lojtar” që futet kollaj në aventurë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë