Kombetarja

Franca nuk na hap rrugë as në futboll, Shqipëria e pafuqishme

Inaugurimi i një stadiumi të ri në një ndeshje ndaj kampionëve të botës nuk është një ide e mirë. Edhe pse të kualifikuar për në Euro 2020, francezët janë treguar shumë “të ftohtë” karshi mijëra tifozëve kuqezinj që kishin mbushur shkallët e “Air Albania Stadium”, sigurisht, kuriozë për të parë nga afër impiantin e ri. U bë çmos që ky stadium të përurohej ndaj Francës, që nuk na ka toleruar aspak. I vetmi tolerant nga francezët ishte trajneri Deshamp, i cili mbajti në stol Kilian Mbape. Dy gola të pësuar me shumë lehtësi në një ndeshje ku rezultati ishte dytësor, por të paktën pritej një paraqitje dinjitoze e kuqezinjve.

Kombëtarja, përtej dëshirës së madhe për një ndeshje të mirë, nuk i është përgjigjur interesimit të tifozëve. Entuziazmi ka rënë shumë shpejt, pasi pas 9 minutash lojë Toliso shënoi golin e parë në stadiumin e ri në portën e Berishës. Për të dytin mendoi Grizman brenda pjesës së parë, duke bërë që interesimi për atë çfarë ndodhte në fushë të humbiste krejtësisht. Franca e kishte fitoren në xhep, ndërsa Shqipëria ka mbyllur me humbje një fazë elminatore ku pati shumë luhatje.

Trajneri Reja kishte zgjedhur një skuadër fizike për të përballuar Francën dhe sërish nuk ia doli. Ai suprizoi me lënien në stol të Strakoshës dhe Ismajlit, ndërsa në mesfushë aktivizoi nga minuta e parë Kristi Qosen në vend të Memushajt. Vlonjati hyri në fushë në fillim të pjesës së dytë, bashkë me Roshin, por asgjë nuk ndryshoi. Minuta edhe për Trashin, megjithatë kuqezinjtë nuk ia dolën të shënonin as golin e nderit në ndeshjen e përurimit të stadiumit të ri. Për eliminatoret e Botërorit gjërat duhen marrë më shtruar dhe shumë më seriozisht.

Shqipëri-Francë 0-2
Shënues: Toliso 9, Grizman 30'

Shqipëria: Berisha, Gjimshiti, Veseli, Dermaku, Hysaj ( Trashi 81’), Lenjani ( Roshi 46’), Gjasula, Qose (Memushaj 46’), Bare, Manaj, Balaj. Trajner: Edi Reja
Franca: Mandanda, Varane, Lengle, Kimpembe, Toliso, Sisoko, Mendi, Dybua ( Pavard 88’), Grizman, Ben Jeder ( Fekir 85’), Zhiru. Trajner: Didier Deshamp


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë